BYD kapërcen Teslën, gjigandi kinez: Numri një për makinat elektrike në botë!
Qendra botërore e makinave elektrike është zhvendosur edhe më shumë drejt Lindjes.
BYD (Build Your Dream), prodhuesi i automjeteve me seli në Shenzhen, kapërceu Teslën, duke u bërë prodhuesi më i madh global i automjeteve elektrike për nga vëllimi i shitjeve.
Në vitin 2025, grupi kinez ka dorëzuar gjithsej 4.6 milionë automjete. Prej tyre, 2.26 milionë janë makina elektrike me bateri, një rritje prej 28% krahasuar me një vit më parë. Pjesa tjetër përbëhet nga hibride plug-in, segment në të cilin BYD vazhdon të lëvizë me lehtësi, veçanërisht në tregun vendas. Tesla, nga ana tjetër, e mbylli vitin me 1.64 milionë automjete të dorëzuara, një rënie prej 8.6% krahasuar me vitin 2024: ky është viti i dytë radhazi me tkurrje.
Këto shifra patën ndikim të menjëhershëm në Bursë. Aksionet e BYD u rritën me 3.6% në Hong Kong, ndërsa Tesla, megjithëse në rritje të lehtë, uli fitimet pas publikimit të të dhënave tremujore, të cilat ishin më poshtë se pritshmëritë e analistëve. Në tremujorin e katërt, dorëzimet u ndalën në 418,227 automjete, rreth 16% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe prodhimi tregoi shenja ngadalësimi.
Ekspertët thonë se nuk bëhet fjalë vetëm për konkurrencë. Tregu i automjeteve elektrike, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, po ndryshon formë. Mbyllja e stimujve federalë ka ftohur kërkesën pas vrullit të mesvitit për të përfituar nga kredia tatimore prej 7,500 dollarësh. Një efekt nga i cili Tesla kishte përfituar në tremujorin e tretë, por që nuk u përsërit në fund të vitit.
Këtë e thekson edhe Wall Street Journal, i cili flet hapur për një fazë frenimi për ish-liderin e tregut të makinave elektrike.

