75 Mall Live Search
19:24 / E Shtunë, 03 Janar 2026 / H F

Si do të qeveriset Venezuela pas arrestimit të Maduros, kush është zëvendëspresidentja që Trump e përmendi

Presidenti amerikan ka pohuar në konferencën për shtyp se Shtetet e Bashkuara do të drejtojnë Venezuelën për momentin.

“Ne do ta drejtojmë vendin deri në kohën kur të mund të bëjmë një tranzicion të sigurt, të duhur dhe të drejtë”, tha Trump.

Ai është pyetur nëse drejtimi i Venezuelës nga SHBA do të thotë se trupat amerikane do të jenë në terren.

Trump tha “nuk kemi frikë nga trupat në terren” dhe ushtria amerikane kishte “ushtri në terren mbrëmë në një nivel shumë të lartë”.

“Do të sigurohemi që vendi të drejtohet siç duhet”, shton ai.

Trump u pyet gjithashtu se çfarë mekanizmi të saktë do të përdorë për të drejtuar vendin. Ai tha se “po caktojnë njerëz tani” dhe do të njoftojnë se kush janë at.

Trump tha se  “grup njerëzish” do të marrë përsipër drejtimin e Venezuelës deri në një kohë të tillë që të sigurohet një “tranzicion i sigurt, i duhur dhe i drejtë”.

Kur u pyet nga gazetarët se kush brenda Venezuelës do të ishte pjesë e atij grupi, Trump tha se sekretari i tij i shtetit, Marco Rubio, kishte folur me Delcy Rodríguez.

Delcy Rodríguez ka qenë zëvendëspresidentja e Maduros dhe ishte zyrtarja e parë që foli publikisht pas sulmeve amerikane. Ajo i kërkoi SHBA-së të ofrojë një provë të jetës së Maduros dhe gruas së tij.

Mesazhi u përcoll vetëm në format audio dhe shpejt çoi në spekulime se Rodríguez mund të jetë larguar nga Venezuela, me agjencinë e lajmeve Reuters që citoi katër burime të cilat thanë se ajo ishte në Rusi. Megjithatë, ministrja e jashtme ruse e ka denoncuar atë raport si “të rremë”.

Trump tha se Rodríguez kishte shprehur gatishmërinë e saj për të bërë “çfarëdo që SHBA-ja kërkon”.

“Ajo është, mendoj, presidentja. Pati një bisedë të gjatë me Marcon dhe tha se do të bëjmë çfarë të duhet. Ajo nuk kishte zgjidhje tjetër”, tha Trump për Rodríguezin.

Kjo vjen si një surprizë njerëzit në Venezuelë. Rodríguez dhe vëllai i saj Jorge, i cili kryeson Asamblenë Kombëtare të vendit, kanë qenë prej kohësh ndër mbrojtësit më të zjarrtë të qeverisë Maduro.

Ndërsa është e mundur që Rodríguez të ketë rënë dakord të bashkëpunojë me administratën Trump për të shpëtuar lëkurën e saj – Trump tha se do të ishte i gatshëm të kryente një valë të dytë sulmesh – ajo nuk do të shihet si dikush që është i gatshëm të zbatojë ndryshime.