75 Mall Live Search
23:40 / E Mërkurë, 07 Janar 2026 / Z S

Maqedonci: FSK-ja në gatishmëri për ndërhyrje pas vërshimeve në Kosovë

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka folur për situatën e krijuar nga vërshimet në Kosovë, duke bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është vënë në gjendje gatishmërie për të intervenuar aty ku ka nevojë.

Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Maqedonci tha se që në ditën e djeshme institucionet janë informuar për reshjet e shiut dhe rritjen e nivelit të lumenjve, të cilat kanë shkaktuar përmbytje fillimisht në pjesën perëndimore të vendit, e më pas edhe në pjesën lindore të Kosovës.

“Sapo jemi informuar për reshjet e shiut dhe rritjen e nivelit të lumenjve, që kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të vendit, komandanti i FSK-së, pas vlerësimeve nga Shtabi i Përgjithshëm dhe strukturat e sigurisë, ka ngritur gjendjen e gatishmërisë me njësi të specializuara për këto raste, të cilat janë të përgatitura për të intervenuar”, ka deklaruar Maqedonci.

Ai ka theksuar se angazhimi i njësive të FSK-së bëhet në bazë të kërkesave zyrtare nga komunat përmes mekanizmave institucionalë.

“Një gjë e rëndësishme është se ne i angazhojmë njësitë e Ushtrisë së Kosovës atëherë kur komunat paraqesin kërkesat përkatëse në Qendrën e Situatave të Këshillit të Sigurisë së Kosovës dhe në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, ku bëhet vlerësimi se ku është më e nevojshme ndërhyrja”, ka shtuar ai.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes ka siguruar se institucionet e sigurisë janë në koordinim të vazhdueshëm dhe të gatshme për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur nga vërshimet.