Ankesa e PDK-së, Gjykata Kushtetuese shfuqizon disa ligje të miratuara nga Kuvendi natën e 5 dhjetorit 2024
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur aktgjykimin lidhur me kërkesat e paraqitura nga dymbëdhjetë deputetë të Kuvendit nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të cilët kishin kontestuar kushtetutshmërinë e vendimeve të Kuvendit për miratimin e 15 ligjeve më 5 dhjetor 2024.
Në aktgjykimin e saj, Gjykata ka vendosur që 12 nga vendimet e kontestuara të Kuvendit nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konkretisht me nenet 4, 7, 74, 76 dhe 77 të Kushtetutës.
Vendimet që Gjykata i ka shpallur jokushtetuese janë ato përmes të cilave janë miratuar këto ligje:
- Ligji për Shërbimet e Pagesave;
- Ligji kundër dukurive negative në sport;
- Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit;
- Ligji për provimin e maturës shtetërore;
- Ligji për Banim Social dhe të Përballueshëm;
- Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim;
- Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor;
- Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale;
- Ligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore;
- Ligji për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore;
- Ligji për Inspektoratin Qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore;
- Ligji për Lojërat Mesdhetare XXI “Prishtina 2030”.
Ndërkaq, Gjykata ka vendosur se tre vendime të Kuvendit janë në përputhshmëri me Kushtetutën, përkatësisht vendimet për miratimin e:
- Ligjit për Bankat;
- Ligjit për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut;
- Ligjit për Gjykatën Administrative.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se, për ligjet e shpallura jokushtetuese, procedurat e ndjekura nga Kuvendi më 5 dhjetor 2024 nuk kanë qenë në përputhje me dispozitat kushtetuese që rregullojnë ushtrimin e funksionit të deputetëve, rregulloren e punës dhe rolin e komisioneve parlamentare.
Aktgjykimi është marrë pas shqyrtimit të kërkesave të bashkuara KO246/24 deri KO260/24, të parashtruara nga deputetët e PDK-së, dhe është miratuar më 9 janar 2026.
Këtu mund të gjeni vendimin e plotë: LINK

