Mbrojtja e Hajdarit “përplaset” me prokurorin: Dokumentet e rezervave nuk guxon t’i prekë askush pa certifikatë sigurie
Seanca gjyqësore në lidhje me rezervat shtetërore, ku është e përfshirë ministrja Rozeta Hajdari, ka nisur me tensione të dukshme mes prokurorisë dhe mbrojtjes, kryesisht mbi qasjen në dokumentet e klasifikuara dhe mundësinë që seancat të jenë të hapura për publikun, transmeton IndeksOnline.
Prokurori i çështjes ka theksuar rëndësinë e transparencës dhe ka kërkuar që të gjitha seancat të jenë të hapura për publikun dhe mediat. Ai ka shtuar se mbyllja e seancave duhet të ndodhë vetëm në raste të veçanta, si kur shqyrtohen pjesë të aktakuzës që përmbajnë informacione sekrete ose gjatë dëshmive të dëshmitarëve anonimë.
Nga ana e saj, mbrojtja e ministres Hajdari, përfaqësuar nga avokati Florent Latifaj, ka kundërshtuar fuqishëm këtë qëndrim. Sipas tij, dokumentet në fjalë përbëjnë sekret shtetëror dhe nuk mund të aksesohen nga persona që nuk kanë certifikatë sigurie.
“As ne avokatët, as policët nuk kemi të drejtë t’i shohim këto dokumente. Madje, sipas ligjit, qasje nuk duhet të ketë as prokurori dhe as gjyqtari”, ka deklaruar Latifaj në seancë.
Mbrojtja është thirrur në një mendim të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri (AMIK), sipas të cilit personat pa certifikatë sigurie nuk guxojnë të kenë qasje në dokumente të klasifikuara. Po ashtu, Latifaj ka theksuar se materialet mund të shqyrtohen nga gjykata vetëm pas deklasifikimit të tyre nga institucioni përkatës.
Sipas mbrojtjes, trajtimi i këtyre dokumenteve në seanca të hapura, apo qasja e palëve të paautorizuara, përbën shkelje serioze të rregullave të sigurisë kombëtare.
“Po tentohet që dokumentet të na jepen edhe neve, që edhe ne të bëhemi pjesë e një procesi të paligjshëm që përbën edhe vepër penale. Konsideroj që pa u bërë deklasifikimi i dokumenteve, asnjë seancë të mos mbahet e hapur”, ka thënë Latifaj.

