ARC në udhëkryq: Gjykata pezullon vendimin e Qeverisë për emërimin e drejtorit të ri
Gjykata Themelore pezullon emërimin e drejtorit të ri të ARC-së nga Qeveria, duke lënë pozitën të zbrazët dhe ngritur pyetje të rënda mbi ligjshmërinë dhe meritokracinë e procesit, ndërkohë që dilema mbetet: a do ta zbatojë Ministria e Sveçles këtë vendim të gjykatës, apo injorimi i tij mund të rrezikojë funksionimin e institucioneve që lëshojnë dokumente jetike për qytetarët? Insajderi sjell detajet
Në një shtet ku sundimi i ligjit proklamohet si shtylla kryesore e qeverisjes, përplasja e fundit administrative në Agjencinë për Regjistrim Civil (ARC) po kthehet në një test të rëndësishëm integriteti. Gjykata Themelore në Prishtinë ka ndërhyrë drejtpërdrejt në një nga vendimet e Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar emërimin e drejtorit të ri të kësaj agjencie.
Më 29 dhjetor 2025, përmes Aktvendimit A.nr.4246/2025, Gjykata ka aprovuar masën e sigurisë për pezullimin e menjëhershëm të Vendimit të Qeverisë nr. 03/275. Ky vendim, i marrë më 13 nëntor, parashihte emërimin e Jetmir Haziri në krye të ARC-së.
Gjykata ka qenë e qartë: pezullimi duhet të hyjë në fuqi menjëherë dhe ankesa e mundshme nuk e shtyn ekzekutimin e këtij urdhri. Kjo do të thotë se, ligjërisht, vendi i drejtorit duhet të mbetet i zbrazët (ose nën udhëheqjen e ushtruesit të detyrës) derisa Gjykata të vendosë përfundimisht mbi ligjshmërinë e procesit të rekrutimit.
Ndonëse emërimi është bërë në mbledhje të Qeverisë, barra e zbatimit të këtij pezullimi bie mbi Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrin Xhelal Sveçla. Është kjo Ministri që menaxhon personelin e ARC-së dhe që duhet të garantojë se urdhri i gjykatës respektohet.
Përfaqësuesit ligjorë të palës dëmtuese tashmë kanë njoftuar zyrtarisht menaxhmentin e MPB-së përmes një shkrese dërguar udhëheqësit të personelit, duke paralajmëruar se injorimi i këtij aktvendimi përbën vepër penale. Sipas Neneve 393 dhe 394 të Kodit Penal, personat zyrtarë që refuzojnë të ekzekutojnë vendimet e gjykatave mund të përballen me dënime me burgim deri në dy vjet.
Rasti bëhet edhe më kompleks kur merret parasysh e kaluara profesionale e të emëruarit. Siç kishte raportuar Insajeri, Haziri kishte dështuar të kalonte filtrat e rekrutimit në një proces tjetër paraprak për një agjenci tjetër, me arsyetimin se nuk plotësonte kriteret profesionale të kërkuara nga KPMShCK.
Insajderi pati raportuar për këtë rast.
Kjo krijon një paradoks administrativ: si arriti një kandidat që vlerësohej se nuk i plotësonte kriteret për pozita të tjera, të merrte pëlqimin e Qeverisë për të udhëhequr një agjenci kaq sensitive si ARC-ja? Kjo pikëpyetje mbi meritokracinë tashmë është bërë pjesë e betejës ligjore në gjykatë.
Gazeta Insajderi e ka pyetur ministrin Svecla për këtë rast, për vendimin e Gjyqit, he për vet kandidatin Haziri, por deri tash nga i njëjti nuk ka marrë përgjigje.
Injorimi i pezullimit të gjykatës nuk është thjesht një procedurë; ai mbart rreziqe reale për qytetarët. ARC-ja është institucioni që lëshon dokumente jetike si pasaporta dhe letërnjoftime. Çdo akt i nënshkruar nga një drejtues, emërimi i të cilit ligjërisht është “i pezulluar”, mund të kthehet nesër në një problem juridik për vlefshmërinë e këtyre dokumenteve.

