75 Mall Live Search
21:25 / E Martë, 13 Janar 2026 / MSH1

Agjencia Kadastrale e Kosovës mban mbledhje komemorative në nderim të Hasim Pacollit

Në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) u mbajt sot një mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së Hasim Pacollit, i cili u nda nga jeta javën e kaluar pas një komplikimi të papritur shëndetësor.

Në këtë ngjarje përkujtimore, drejtori ekzekutiv i AKK-së, Avni Ahmeti, vlerësoi lart kontributin shumëvjeçar të Hasim Pacollit në institucion, duke theksuar përkushtimin, profesionalizmin dhe integritetin e tij gjatë gjithë angazhimit në Agjencinë Kadastrale të Kosovës.

Hasim Pacolli ishte pjesë e AKK-së që nga viti 2002, ku për më shumë se dy dekada dha një kontribut të çmuar në ndërtimin dhe zhvillimin e sistemit kadastral të Kosovës. Ai u dallua për përgjegjësi të lartë institucionale, seriozitet në punë dhe përkushtim ndaj shërbimit publik.

Nga viti 2010 deri në vitin 2015, Pacolli ushtroi detyrën e drejtorit të Drejtoratit të Matjes, duke udhëhequr me sukses procese komplekse dhe të rëndësishme për institucionin. Më pas, ai vazhdoi angazhimin e tij si Udhëheqës i Sektorit për KOPOS, ku me qetësi, urtësi dhe dije profesionale kontribuoi në zhvillimin e sistemeve moderne të matjes dhe pozicionimit, duke ndërtuar një frymë bashkëpunimi dhe respekti të ndërsjellë në ekip.

Ky është njoftimi i plotë:

Mbahet mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së kolegut Hasim Pacolli

Sot në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës u mbajt mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së kolegut Hasim Pacolli, i cili ndrroj jetë javën e kaluar pas një komplikimi të papritur shëndetësor.

Në këtë ngjarje përkujtimore Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës z.Avni Ahmeti vlerësoi lart punën dhe kontributin e Hasimit në AKK, duke pasur parasysh që ai kishte ushtruar funksione në pozita të ndryshme në institucion.

Që nga viti 2002, Hasimi ishte pjesë e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, ku për më shumë se dy dekada dha kontribut të çmuar në ndërtimin dhe zhvillimin e sistemit kadastral të vendit. Gjatë gjithë kësaj kohe, ai u shqua për profesionalizëm, përgjegjësi të lartë institucionale dhe integritet të padiskutueshëm.

Nga viti 2010 deri në vitin 2015, ai ushtroi detyrën e Drejtorit të Drejtoratit të Matjes, duke udhëhequr procese të ndërlikuara me përkushtim dhe maturi. Më pas, vazhdoi shërbimin e tij si Udhëheqës i Sektorit për KOPOS, ku me qetësi, urtësi dhe dije profesionale udhëhoqi ekipin e tij dhe kontribuoi në zhvillimin e sistemeve moderne të matjes dhe pozicionimit. Nën udhëheqjen e tij, puna u karakterizua nga respekti, bashkëpunimi dhe ndjenja e përgjegjësisë së përbashkët.

Përtej titujve dhe detyrave zyrtare, Hasimi ishte mbi të gjitha një njeri i mirë, i qetë dhe i urtë, i cili i trajtonte të gjithë me dinjitet dhe njerëzi. Fjala e tij e matur, sjellja e tij fisnike dhe respekti që tregonte për secilin do të mbeten kujtime të paharruara për ne.

Humbja e tij është e rëndë dhe e pazëvendësueshme. Në këto çaste dhimbjeje, fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur pikëllimin tonë. Megjithatë, vepra e tij, ndershmëria dhe shembulli njerëzor që la pas do të jetojnë gjatë në kujtesën tonë institucionale dhe njerëzore.

Në emër të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Pacolli, duke ndarë me ta dhimbjen e thellë për këtë humbje të madhe.

Të gjitha sukseset dhe arritjet e AKK-së gjatë vitit që lamë pas në projektet dhe reformat e AKK-së do ti atribuohen edhe atij si pjesë kyçe e proceseve, si udhëheqës I një prej drejtorive më të rëndësishme të AKK-së.

Në emër të familjes foli vajza e të ndjerit e cila falenderoi të gjithë kolegët e AKK-së për respektin dhe gatishmërinë për ti qëndruar afër familjes në këto momente të veshtira për ta, duke kujtuar këshillat dhe porositë që u ka dhënë i ndjeri si prind për jetën në përgjithësi por edhe për profesionin e gjeodezisë të cilit ai iu kishte përkushtuar gjithë jetën e tij.

Edhe kolegët e AKK-së ndanë me familjarët disa momente e kujtime interesante e të paharrueshme që kishin patur me të ndjerin, përgjatë rrugëtimit të tij disavjeçarë në AKK.

Në këtë mbledhje përkujtimore morën pjesë familjarë, kolegë, dhe mysafirë të shumtë, të cilët me një minutë heshtje nderuan kujtimin e tij.