75 Mall Live Search
11:17 / E Hënë, 08 Qershor 2026 / H F

Ky është shqiptari që pagoi miliona euro për të dalë nga burgu, në Belgjikë

Shqiptari Flamur S.i njohur prej vitesh në botën e trafikut të drogës në Belgjikë, është liruar nga burgu pas miratimit të një marrëveshjeje për pranim paraprak të fajësisë.

Marrëveshja, e konsideruar si një nga më të rëndësishmet e arritura ndonjëherë në një proces të madh droge në Belgjikë, u aprovua të premten.

Sipas mediave të huaja, Flamur S. pranoi fajësinë për akuzat që i atribuohen dhe ra dakord për një dënim prej pesë vjetësh burgim, nga të cilat dy vjet efektive, si edhe për pagesën e 1.5 milionë eurove në favor të shtetit belg.

Menjëherë pas miratimit të marrëveshjes, ai u lirua nga burgu, pasi kishte vuajtur tashmë dy vjet paraburgim në Turqi dhe Belgjikë.

Avokati i tij, Johan Van Genechten, konfirmoi arritjen e marrëveshjes, por nuk dha detaje të mëtejshme lidhur me negociatat me prokurorinë federale.

Sipas autoriteteve belge, Flamur S. ka luajtur një rol kyç në organizatën kriminale të trafikantit Flor Bressers. I njohur me nofkën “Maradona”, ai dyshohet se drejtonte ekipet e ashtuquajtura “gërmues”, të cilat nxirrnin ngarkesat e kokainës të fshehura në kontejnerë me mineral mangani. Gjithashtu, ai ishte përgjegjës për mbledhjen e shumave të mëdha të parave që qarkullonin brenda rrjetit.

Nga dokumentet e sekuestruara gjatë hetimeve rezulton se Flamur S. ka mbledhur rreth 17 milionë euro pagesa në Belgjikë dhe Holandë.

Kjo nuk është hera e parë që ai përballet me drejtësinë. Në vitin 2010, ai u dënua me tetë vjet burg dhe 27.500 euro gjobë si drejtues i një organizate kriminale që kontrabandonte dhjetëra kilogramë kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës përmes korrierëve.

Në fillim të vitit 2025, Flamur S. u ekstradua nga Turqia, ku ishte fshehur së bashku me Sani Al Murdaa. Të dy kishin siguruar shtetësinë turke dhe për një kohë të gjatë besonin se ishin të paprekshëm nga autoritetet. Megjithatë, në vitin 2024 autoritetet turke ua revokuan shtetësinë dhe arrestuan Flamur S., i cili më pas u transferua në Belgjikë.

Pas rikthimit në Belgjikë, ai autorizoi avokatin e tij të negocionte me prokurorinë federale, proces që përfundoi me marrëveshjen e miratuar nga gjykata.

Ndërkohë, procesi Bressers do të vazhdojë në shtator për të pandehurit e tjerë, ndërsa çështja ndaj Flamur S. konsiderohet e mbyllur pas marrëveshjes së arritur me drejtësinë belge.