Vr*sësi serial ende i lirë/ Arrestohen 8 persona për arratisjen e Altin Ndocit
Tetë persona janë vënë në pranga në lidhje me arratisjen e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, ngjarje e ndodhur një ditë më parë.
Mes të arrestuarve janë dhe kryeinfermieri dhe zëvendësshefi i komanduar i policisë.
“I paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore”, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Të arrestuarit janë: Aulon Çuko, kryeinfermier në Spitalin e Durrësit, Desdemon Pazaj, zëvendësshef i policisë dhe pesë efektivë policie që shoqëronin të burgosurit, Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baçi, Aranit Çela.
Po ashtu, në pranga ka rënë edhe një grua, e identifikuar si Violeta Uka.
Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme kur Altin Ndoci, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, u arratis, ndërsa shoqërohej për një vizitë mjekësore në Spitalin e Durrësit.
Altin Ndoci po gjykohet për një sërë veprash penale të rënda dhe në dosje të ndryshme. Së fundmi, ai u dërgua për gjykim nga SPAK-u në tetor 2025, si pjesë e organizatës kriminale për të cilën akuzohen vëllezërit Çopja.
I arrestuar prej vitit 2020, Ndoci është identifikuar nga të penduar të drejtësisë si pjesëmarrës në disa atentate në luftën mes grupeve kriminale në vend.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk i sqaroi rrethanat e arratisjes.
Ajo bëri me dije se Ndoci ishte shoqëruar në spital nga strukturat e burgjeve dhe se arratisja ka ndodhur brenda godinës së përshtatur për trajtimin e të burgosurve.
“Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit”, thuhet në njoftimin e DPB-së.

