Publikohen pamje nga arrestimi dhe bastisja e shtëpisë të serbit, që sulmoi KFOR-in dhe Policinë e Kosovës
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ndaluar për 48 orë personin me inicialet S.R.
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kanë arrestuar të dyshuarin S.R. në Zveçan.

S.R. është ndaluar mbi dyshimet për veprat penale: Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë, që kryen vepër penale dhe huliganizëm, si edhe sulm ndaj personit zyrtar.

Gjithashtu, në vendbanimin e të dyshuarit është zbatuar urdhërkontrolli, ku janë gjetur prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës penale.
Brenda afatit të përcaktuar ligjor, ndaj S.R. do të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Hetuesit policorë, në bashkëpunimm me Prokurorinë Speciale, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me ligjet në fuqi.

