Ndërron jetë muzikanti amerikan John Forte në moshën 50-vjeçare
Muzikanti amerikan i nominuar për çmimin prestigjioz “Grammy”, John Forte, i njohur për bashkëpunimin e tij me grupin legjendar “Fugees” dhe kolektivin “Refugee Camp All-Stars”, ka ndërruar jetë në moshën 50-vjeçare. Lajmi i trishtë u bë i ditur pasi Forte u gjet i pajetë pasditen e së hënës, më 11 janar, në banesën e tij në Chilmark, Massachusetts.
Sipas një deklarate zyrtare të Shefit të Policisë së Chilmarkut, Sean Slavin, në vendngjarje nuk janë konstatuar shenja dhune apo elementë të dyshimtë, ndërsa shkaku i vdekjes nuk ishte i dukshëm në momentin e parë. Autoritetet lokale kanë dërguar rastin për hetim në zyrën e mjekut ligjor të shtetit, ku pritet të kryhen ekzaminime të mëtejshme për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes.
I lindur në New York, John Forte u shqua që herët për talentin e tij të jashtëzakonshëm muzikor. Ai fitoi vëmendjen e publikut dhe kritikës në fund të viteve ’90 si bashkëpunëtor në albumin ikonik të Fugees, “The Score”, fitues i çmimit “Grammy”, si dhe në albumin “The Carnival” të Wyclef Jean, i cili u nominua për të njëjtin çmim.
Si multi-instrumentist, reper dhe producent, Forte ndërtoi edhe një karrierë solo, duke publikuar albume si “Poly Sci” dhe “I, John”, ku bashkëpunoi me artistë të njohur, përfshirë këngëtaren Carly Simon.
Jeta e tij u shënua edhe nga probleme ligjore, pasi në vitin 2000 u arrestua në Aeroportin Ndërkombëtar të Newark-ut nën akuza për posedim dhe trafikim droge.
John Forte lë pas bashkëshorten e tij, fotografen Lara Fuller, si dhe dy fëmijë, ndërsa figura e tij mbetet e rëndësishme në historinë e hip-hopit dhe muzikës bashkëkohore amerikane.

