Azemi paralajmëron: Nëse qeveria nuk e stimulon barazimin e pagës, do të ndalim shërbimet
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, ka paralajmëruar kompanitë për nevojën e përputhjes me vendimet e Qeverisë për pagën minimale dhe ka kërkuar që të stimulohet barazimi i saj, raporton Ekonomia Online.
Azemi në një intervistë për Ekonomia Online ka kërkuar që qeveria të zbatojë vendimin për pagën 425 euro.
“Këta punëtorë deri më tani janë paguar diku 300-350 euro, ndërsa tani, nga 1 janari e tutje deri më 1 korrik, paga është 425 euro. Ka një diferencë dhe ne kemi kërkuar nga kompanitë private që të kërkojnë rritjen e kësaj page tek Qeveria e Kosovës. qeveria ka marrë vendim dhe duhet t’i stimulojë kompanitë, sepse këto kompani kanë kontrata pune me institucionet shtetërore me paga më herët të përcaktuara, dhe tash këtë pjesë duhet ta stimulojë Qeveria e Kosovës. Ne kemi paralajmëruar se në rast se nuk e bëjnë këtë, duke e pasur parasysh që problemi është vetëm me kompani publiko-private, që kryejnë shërbime për institucionet shtetërore, për qeverinë dhe për kuvendet komunale, kemi paralajmëruar se duhet të bëhet subvencionimi i këtyre pagave. Edhe sot e dimë që vendimi i qeverisë së mëhershme për vitin 2024 ishte që paga minimale të jetë 350 euro, por ky vendim nuk po zbatohet në shumë vende. Nëse qeveria nuk e stimulon këtë, nuk e bën barazimin e pagës minimale, normal që do t’i ndalim shërbimet tona”, tha Azemi.
Ai theksoi se rritja e pagës minimale nuk prek kompanitë private në përgjithësi, por vetëm institucionet publike.
“Në këtë rast, absolutisht nuk preken kompanitë private; kjo pagë minimale e prek vetëm Qeverinë e Kosovës dhe kuvendet komunale. Një rast konkret: kemi të gjithë punëtorët teknikë dhe punëtorët e sigurimit fizik, që janë mbi 600 në QKUK. Ata aktualisht marrin pagë 370 euro, kështu që duhet të shtohet edhe diferenca deri në 425 euro. Kjo është diferenca dhe kemi kërkuar nga operatorët që të kërkojnë rritjen e pagës tek institucionet përkatëse, aty ku kanë nënshkruar këtë pagë”, theksoi Azemi.
Ai gjithashtu paralajmëroi pasojat në rast të moszbatimit të vendimeve të qeverisë.
“Normalisht, ne kemi marrë edhe pëlqimin e punëtorëve, dhe nëse në janar nuk dalin pagat me rritje, atëherë fatkeqësisht në Spitalin e Qendrës Familjare dhe në disa shkolla do të ndalohet puna, sepse Qeveria e Kosovës duhet ta zbatojë vendimin që e merr vetë. Ky vendim është marrë pa asnjë presion; përkundër që ne kemi kërkuar çdo ditë rritjen e pagës minimale, vendimi është marrë pa presion, dhe ai vendim duhet të respektohet”, nënvizoi Azemi.
Me 31 tetor, qeveria në detyrë mori vendim për rritjen e pagës minimale për vitin 2026. Paga minimale u vendos të rritet në dy faza: nga 1 janari i vitit 2026 do të jetë 425 euro, ndërsa nga korriku i vitit 2026 do të bëhet 500 euro.
Ndërsa më 9 dhjetor, kryeministri në detyrë Albin Kurti bëri të ditur se paga minimale nga janari do të bëhet 425 euro bruto, nga 350 euro sa ishte më parë.
Aktualisht, paga minimale në vendin tonë është 350 euro bruto. Kjo rritje u bë në gusht të vitit të kaluar, disa ditë pasi hyri në fuqi Ligji për pagën minimale, i cili parashihte një rritje të pagës minimale në 264 euro bruto. Deri në fuqizimin e ligjit të ri, paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.

