Basha: Reçaku ishte pika e kthesës që zgjoi ndërgjegjen e botës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, në fjalën e tij në Akademinë Përkujtimore me rastin e 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut, tha se Reçaku u bë pasqyra më e qartë e terrorit sistematik që u ushtrua ndaj popullit të Kosovës dhe pika e kthesës që e vuri botën përballë së vërtetës për krimet e regjimit serb.
Basha deklaroi se masakra e Reçakut e nxori në pah fytyrën e ideologjisë fashiste të Serbisë dhe të Slobodan Millosheviqit, e cila, sipas tij, synonte shuarjen e popullit shqiptar me çdo kusht.
“Atë botë Reçaku u bë pasqyra më e qartë e terrorit sistematik që u zhvillua ndaj popullit tonë. Masakra në Reçak e nxori në pah fytyrën e shëmtuar të ideologjisë fashiste të Serbisë e Slobodan Millosheviqit që synonte shuarjen e popullit tonë me çdo kusht”, tha ai.
Ai shtoi se Reçaku ishte një tragjedi e përsëritur në historinë e Kosovës, por që për herë të parë mori vëmendjen e gjithë botës dhe u shndërrua në pikë kthese.
“Reçaku ishte tragjedi e përsëritur për historinë, por për herë të parë ajo mori vëmendjen e gjithë botës, Reçaku ishte pika e kthesës. Ajo tragjedi e tmerrshme bëri që bota të zgjohet nga heshtja e gjatë. Krimi në Reçak tronditi ndërgjegjen ndërkombëtare”, tha Basha.
Kryetari i Kuvendit theksoi se për këtë vëmendje ndërkombëtare një meritë të veçantë e ka edhe ambasadori William Walker, duke e cilësuar atë si mik të Reçakut, mik të kombit shqiptar dhe mbrojtës të pakompromis të së vërtetës.
“Për këtë vëmendje një meritë të veçantë e ka miku i Reçakut, miku i kombit shqiptar dhe mbrojtësi i pakompromis i së vërtetës, ambasadori William Walker”, tha ai.

