75 Mall Live Search
20:32 / E Enjte, 15 Janar 2026 / Gj Sh

Vëllaznimi del me komunikatë për ndeshjen me Bashkimin, kërkon nga FBK-ja të hetohet hyrja e tifozëve prizrenas

Klubi Basketbollistik Vëllaznimi ka dal me komunikatë për incidentin e mbrëmshëm në ndeshjen ndaj Bashkimit, ku ndihmëstrajneri i skuadrës prizrenase është goditur nga një tifoz me shishe me ujë.

Vëllaznimi thotë se e kishin organizuar mirë ndeshjen, duke respektuar në mënyrë strikte rregulloret e Federatës së Basketbollit të Kosovës, shkruan IndeksOnline.

Skuadra gjakovare thotë se akuza se incidenti ka ndodhur si pasojë e dështimit të organizatorit nuk qëndron për ka kërkuar nga FBK-ja të që të analizojë me kujdes videoincizimet zyrtare të ndeshjes.

KB Vëllaznimi ngre dyshime për mënyrën se si ka ardhur deri te grumbullimi i tifozëve prizrenas në një zonë të ndaluar, faktin se këta persona janë lejuar aty pa pëlqimin e KB.Vëllaznimit dhe se ata kanë mbetur tërësisht të pasiguruar dhe pa mbikëqyrje, çka përbën dështim të zinxhirit të vendimmarrjes institucionale dhe jo të organizatorit vendor.

Komunikata e plotë:

KB.Vëllaznimi shpreh shumë keqardhje dhe dënon ashpër incidentin e ndodhur gjatë ndeshjes ndaj KB Bashkimit, ku një anëtar i stafit teknik të KB Bashkimit u godit me shishe plastike. Çdo akt dhune në sport është i papranueshëm dhe bie ndesh me parimet bazë të fair-play-it dhe sigurisë sportive.

KB.Vëllaznimi thekson se gjithmonë ka qenë dhe mbetet i përkushtuar për pritje korrekte, të sigurt dhe dinjitoze të ekipeve mysafire, stafit të tyre teknik dhe zyrtarëve të ndeshjes, duke respektuar në mënyrë strikte rregulloret e Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Organizimi i ndeshjes ka qenë plotësisht në përputhje me rregullativën e FBK-së, me prezencë të shtuar të Policisë së Kosovës dhe stafit të sigurimit, të kërkuar vetë nga KB.Vëllaznimi. Ky fakt dëshmon qartë se organizatori ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtje të sigurt të ndeshjes.

Në këtë kontekst, akuza se incidenti ka ndodhur si pasojë e dështimit të organizatorit nuk qëndron. Duhet theksuar qartë se me lejen e delegatit të ndeshjes dhe në koordinim të drejtpërdrejtë me Policinë e Kosovës, janë lejuar disa persona të ekipit mysafir që të vendosen në një zonë të palestrës ku nuk lejohet prania e shikuesve, e cila sipas rregullave duhet të jetë zonë e kontrolluar dhe e siguruar.

KB.Vëllaznimi fton Federatën e Basketbollit të Kosovës që të analizojë me kujdes videoincizimet zyrtare të ndeshjes, për të konstatuar:

● mënyrën se si ka ardhur deri te grumbullimi i tifozëve prizrenas në një zonë të ndaluar;

● faktin se këta persona janë lejuar aty pa pëlqimin e KB.Vëllaznimit;

● dhe se ata kanë mbetur tërësisht të pasiguruar dhe pa mbikëqyrje, çka përbën dështim të zinxhirit të vendimmarrjes institucionale dhe jo të organizatorit vendor.

Pikërisht nga ajo zonë e ndaluar ka ardhur edhe mjeti i hedhur në parket, fakt ky që mund të verifikohet qartë nga pamjet filmike. Përgjegjësia për këtë situatë nuk mund dhe nuk duhet t’i atribuohet vetëm KB.Vëllaznimit, i cili paraprakisht ka kundërshtuar praninë e tifozëve mysafirë në sallë, në përputhje me vendimet e FBK-së për ndalimin e udhëtimit të tifozërive.

Njëkohësisht, KB.Vëllaznimi shpreh shqetësim serioz për aplikimin e standardeve të dyfishta, duke rikujtuar rastin e fundit kur në Prizren, basketbollisti Dardan Berisha u godit me mjet të fortë dhe u gjakos, ndërsa u vendos vetëm zbrazja e një pjese të palestrës. Në Gjakovë, një javë më pas, për një situatë identike apo më të lehtë, u urdhërua zbrazja e tërë sallës, vendim disproporcional dhe i pabarabartë.

Ky trajtim selektiv cenon rëndë parimin e barazisë, sigurinë juridike dhe besimin e klubeve në ndershmërinë e garës, duke krijuar perceptimin e padrejtë se rregullat nuk vlejnë njësoj për të gjithë.

KB.Vëllaznimi kërkon nga FBK:

● trajtim të barabartë të rasteve të ngjashme;

● analizë objektive të provave filmike;

● dhe shmangie të deklaratave tendencioze që dëmtojnë padrejtësisht imazhin e klubit tonë.

Ne mbetemi të përkushtuar për sport të pastër, siguri dhe bashkëpunim institucional, por nuk do të pranojmë bartjen e përgjegjësive që nuk na takojnë.