Tring njofton ndryshime në disponueshmërinë e kanaleve të platformës në Kosovë
Platforma Tring, platforma televizive më e madhe në Shqipëri, ka njoftuar të gjithë abonentët dhe shikuesit se, si pasojë e përfundimit të afatit të kontratës së partneritetit, ka ndryshuar disponueshmërinë e kanaleve të platformës në Kosovë.
Sipas njoftimit zyrtar, duke filluar nga kjo periudhë, të gjitha kanalet tematike Tring në territorin e Republikës së Kosovës do të transmetohen ekskluzivisht dhe vetëm përmes platformave Artmotion, Ipko, Kujtesa dhe Telekomi i Kosovës, partneriteti me të cilat vazhdon tanimë prej disa vitesh, duke bërë të mundur transmetimin e paketës së larmishme dhe shumëdimensionale të kanaleve Tring, aq të dashura dhe të ndjekura nga shqiptarët e Kosovës.
“Ky ndryshim vjen si rezultat i riorganizimit të marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet palëve.”
Nga Tring theksojnë se ky ndryshim nuk ndikon në cilësinë e përmbajtjes dhe se shikuesit do të vazhdojnë të kenë qasje të plotë në programet dhe kontentin e kanaleve Tring përmes platformave të lartpërmendura.
Kompania falënderon abonentët për mirëkuptimin dhe besimin e vazhdueshëm, duke ritheksuar përkushtimin e saj për të ofruar shërbime dhe përmbajtje cilësore për publikun në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në botë.

