75 Mall Live Search
17:01 / E Premte, 16 Janar 2026 / MSH1

​Seanca e gazit lotsjellës: Sveçla mungoi, Zyba kërkoi përjashtimin e prokurorit

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka veçuar procedurën penale ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili për të njëmbëdhjetën herë nuk u paraqit në seancë për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të vitit 2018. Ai këtë mungesë e arsyetoi me një email përmes të cilës njoftoi se ndodhet jashtë vendit.

Seanca vazhdoi për tre të akuzuarit tjerë, ku ish-deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, Fitore Pacolli u deklaruan të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë nga Prokuroria, ndërsa, ish-deputetja, Drita Millaku vendosi të mbrohet në heshtje.

Por seanca është ndërprerë pas kërkesës së të akuzuarit, Salih Zyba për përjashtim të prokurorit, Valdrin Krasniqi me arsyetimin se ai është djali i sekretarit të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi.

Gjyqtari Sabit Sadikaj tha se i akuzuarit, Sveçla e ka njoftuar gjykatës se gjendet jashtë vendit.

“Mungon i pandehuri Xhelal Sveçla i cili i ka dërguar gjykatës email me një avion biletë se gjendet jashtë vendit”, tha ai.

Laur Prenaj mbrojtësi i ministritë në detyrë, Xhelal Sveçla kërkoi mirëkuptimin ndaj klientit të tij, pasi ai mban pozitë të rëndësishme dhe jo çdo herë mund t’i përgjigjet ftesave të gjykatës.

“Kërkoj nga gjykata që të ketë konsideratë dhe mirëkuptim në faktin se i mbrojturi im mban një detyrime përgjegjësi të lartë si ministër i detyrë i Punëve të Brendshme dhe jo çdo herë mund të jetë prezent apo i gatshëm që t’i përgjigjet ftesave nga gjykata”, tha ai.

Më pas gjyqtari, Sabit Sadikaj propozoi dhe më pas edhe mori aktvendim që procedura penale ndaj të akuzuarit, Xhelal Sveçla të veçohet dhe për këtë pati pajtueshmëri edhe nga prokurori i rastit, Valdrin Krasniqi.

“Me aktvendim, ndaj të pandehurit Xhelal Sveçla lënda do të veçohet dhe do të merr numër të ri të rastit pasi që edhe aktakuza është e kualifikimin secili veç e veç ka kryer veprën penale prandaj mund të vazhdoj ndaras dhe nuk paraqet ndonjë problem”, theksoi ai.

Pas veçimit të procedurës penale, ndaj Sveçlës prokurori i rastit, Valdrin Krasniqi lexoi aktakuzën, sipas të cilës, të akuzuarit në mars të viti 2018, kanë ndezur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës dhe kanë pamundësua mbajtjen e seancës.

Sipas prokuririt, me këtë veprim Zyba, Pacolli e Millaku, kanë kryer veprën penale përdorimi i armës apo mjetet të rrezikshëm.

“Më datën 21 mars 2018 rreth orës 12:10 deri në ora 15:20 në sallën e Kuvendit të Kosovës fillimisht pandehuri Xhelal Sveçla deputet i Kuvendit të Kosovës, por edhe dy herë të tjera por edhe të pandehurit, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë përdorur armë, mjetet plasëse…kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës të cilat i kishin ndezur brenda sallës plenare të Kuvendit të Kosovës në atë mënyrë kanë pamundësuar vazhdimin e seancës së Kuvendit ku si rrjedhoj të gjithë deputetët ishin detyruar të lirojnë sallën e Kuvendit”, deklaroi ai.

Pas leximit të aktakuzës tre të akuzuarit, Salih Zyba, Fitore Pacolli u deklaruan të pafajshëm për akuzat që ngarkohen, ndërsa Drita Millaku deklaroi se do të mbrohet në heshtje.

Në seancën e sotme u thanë edhe fjalët hyrëse të palëve në procedurë, por jo nga të gjitha palët, pasi pas kërkesës së të akuzuarit, Salih Zyba që të përjashtohet prokurori, Valdrin Krasniqi, mbrojtja e Fitore Pacollit dhe vetë ajo nuk i thanë fjalët hyrëse.

Në fjalën hyrëse prokurori, Krasniqi tha se me provat materiale që kanë në dispozicion do të provohet se të akuzuarit kanë përdorur gaz lotsjellës në seancën e Kuvendit të 21 marsit 2018.

“Përmes provave materiale do të provohet përtej dyshimit të bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale e cila iu vihet në barrë. Kjo do të vërtetohet nga video-incizimet e siguruara nga Kuvendi i Kosovës si dhe ato të publikuara në medie ku vërtetohet qartë se të pandehurit kanë përdorur armën përkatësisht gazin lotsjellës në seancën e datën 21 mars 2018”, tha ai.

Ndërsa, Veton Robaj i cili mbron ish-deputeten e LVV-së, Drita Millaku tha se klientja e tij po akuzohet për veprimet politike në emër të qytetarëve të Kosovës.

“Akuzohet për veprimet e saj politike të ndërmarra sipas vlerësimit të saj në emër të qytetarëve përfaqësues gjatë muajit mars 2018. E akuzuar Drita Millaku ka vepruar në cilësinë e deputetët të Kuvendit të Kosovës, veprimet e saj kanë qenë politikisht të motivuara si pjesë e protestës parlamentare e jo për qëllime kriminale çdo veprim brenda Kuvendit të Kosovës vlerësohet si shprehje politike e jo si vepër penale”, tha ai.

Kurse, i akuzuari, Salih Zyba kërkoi që nga ky rast të përjashtohet prokurori, Valdrin Krasniqi, pasi që ai është i biri i ish-sekretarit të Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, i cili ishte në detyrë kur u zhvillua seanca e datës 21 mars 2018.

“Para se të vazhdojmë tutje të marrim një konfirmim që prokurori prezent në fjalë ndoshta për shkak të afërsisë familjare që është i biri i sekretarit, Ismet Krasniqi….të verifikohet në kohë reale që prokurori prezent të na deklarohet dhe të na heq dyshimet se i njëjti qenka i furnizuar apo ndikuar nga prindi që ka mbajtur detyrën zyrtare në kohën sa është zhvilluar ajo seancë…konsideroj se më pak se është konflikt interesi dhe jo profesionalizëm” ,tha ai.

Pas këtij deklarimit të Zybës gjyqtari, Sabit Sadikaj e ndërpreu seancës deri në një vendim të radhës që do të merret nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe tre deputetët Salih Zyba, Drita Millaku dhe Fitore Pacolli-Dalipi në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024.