Roberto Bakaj fantastik, vazhdon rekordin pozitiv/ E mposht boksierin kolumbian
Boksieri shqiptar Roberto Bakaj ka shënuar një tjetër fitore të rëndësishme në karrierën e tij profesioniste, duke mposhtur boksierin kolumbian Brayan Santander në një përballje të zhvilluar në “BBC Arena” në Zvicër.
Me këtë triumf, Bakaj konfirmon formën e shkëlqyer dhe ruan një rekord perfekt që flet vetë: 16 meçe, 16 fitore, shkruan Indeksonline
Në një atmosferë të zjarrtë dhe përballë një kundërshtari të fortë, Bakaj u shfaq i përqendruar, i disiplinuar dhe dominues në ring. Që nga raundet e para, boksieri shqiptar tregoi qartësisht superioritetin e tij teknik dhe fizik, duke kontrolluar ritmin e ndeshjes dhe duke mos i lënë hapësirë kundërshtarit për të reaguar.
Kjo fitore e radhës nuk është vetëm një sukses personal për Bakajn, por edhe një tjetër moment krenarie për sportin shqiptar. Me çdo ndeshje, ai po forcon pozitën e tij në boksin profesionist dhe po dëshmon se është një emër serioz, me ambicie të mëdha dhe potencial për skenën ndërkombëtare./Indeksonline/

