Hajnia është hajni dhe s’ka pse krahasohet se kush ka vjedh më shumë e kush më pak
Shkruan: Agron Halitaj
Manipulimet me vota të kandidatëve të partive kanë ekzistuar edhe në të kaluarën dhe, mjerisht, janë bërë sistematike.
Dhe kur hajnia përhapet në masë e nuk ndëshkohet në mënyrë meritore nga autoritetet e drejtësisë, ajo me kohë fillon të normalizohet dhe të shndërrohet në kulturë.
T’ia marrësh votën një kandidati dhe t’ia numërosh atë një kandidati tjetër është tjetërsim i vullnetit të qytetarit në zgjedhje – është përpjekje për të krijuar një strukturë përfaqësuese në Kuvend, brenda së cilës ka njerëz me legjitimitet të vjedhur.
Kot e shigjetojnë PDK-në militantët e LVV-së për vjedhje të brendshme të votave, ashtu siç militantët e PDK-së nuk kanë pse të ngushëllohen me faktin se edhe në LVV nuk ka munguar vjedhja e brendshme.
Njësoj, nuk kanë pse të sillen sikur s’ka ndodhur asgjë as mbështetësit e LDK-së dhe AAK-së, pasi edhe brenda partive të tyre ka pasur raste të ngjashme.
Secila është përfshirë në manipulime (hajni) të brendshme sipas takatit të vet.
Shoqëria nuk duhet ta shoh këtë vetëm si pjesë të “lojës së brendshme” të partive, ndërsa institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë me forcën e ligjit ndaj manipuluesve me vullnetin e qytetarëve.
Hajnia të është hajni dhe s’ka pse krahasohet se kush ka vjedh më shumë e kush më pak.

