Chivu lavdëron Arsenalin: Një nga skuadrat më të mira në Evropë
Para sfidës së UEFA Champions League kundër Arsenalit, trajneri i Interit, Cristian Chivu, tregoi respekt të madh për skuadrën londineze, por bëri të qartë se zikaltrit hyjnë në fushë me një ambicie të qartë.
Chivu e vendosi Arsenalin në të njëjtin nivel me Bayernin, duke e cilësuar si një nga skuadrat më të forta të Evropës aktualisht.
“Do të përballemi me një nga skuadrat më të forta në Evropë, në nivelin e Bayernit. Por që dy muaj kemi marrë të gjitha ndeshjet një nga një. Një ekip si yni nuk mund të ketë momente shpërqendrimi dhe duhet të japë gjithmonë maksimumin, pavarësisht kundërshtarit,” deklaroi trajneri rumun.
Ai shtoi se Interi synon të sigurojë një vend në tetëshen e parë për të kaluar direkt në fazën tjetër të Champions League dhe gjithashtu të tejkalojë tabunë historike që e shoqëron këtë përballje. “E dimë që nuk është e lehtë, por jemi të vetëdijshëm për atë që duhet bërë,” tha Chivu.
Ish-mbrojtësi i Interit paralajmëroi edhe për potencialin e Arsenalit: “Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Nuk mund të nënvlerësojmë askënd dhe nuk duhet të kemi shpërqendrime. Arsenali ka shumë mënyra për të na dëmtuar; është një ekip i kompletuar. Duhet të jemi të përgatitur mendërisht dhe fizikisht dhe të bëjmë sa më pak gabime.”
Në fund, Chivu vlerësoi edhe trajnerin e Arsenalit, Mikel Arteta: “Gjithmonë ka diçka për të mësuar nga trajnerët e tjerë. Arteta po tregon se është një trajner i fortë dhe ambicioz, i mbështetur nga një klub me traditë dhe objektiva të mëdhenj.

