I dyshuari për vrasjen në Restelicë kishte tri aktgjykime penale, dy me masa psikiatrike (Dokument)
Gjykata Themelore në Prizren – Dega në Dragash ka njoftuar se ndaj Ferzidin Bozës nga fshati Restelicë, Komuna e Dragashit, i cili vrau nënën e tij, gjatë viteve të fundit janë trajtuar gjithsej tri raste penale, të cilat kanë përfunduar me aktgjykime dënuese, përfshirë edhe shqiptimin e masave të detyrueshme të trajtimit psikiatrik në liri.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti i parë me numër P.nr. 2/22 është gjykuar më 15 korrik 2022. Në këtë lëndë, Boza është shpallur fajtor për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe është dënuar me gjashtë muaj burgim. Megjithatë, ekzekutimi i këtij dënimi është pezulluar për një periudhë verifikuese prej dy vitesh, me kusht që i dënuari të mos kryejë ndonjë vepër tjetër penale. Po ashtu, gjykata ka shqiptuar masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik ambulator në liri për një periudhë dyvjeçare. Zbatimi i kësaj mase i është besuar Qendrës për Shëndet Mendor në Prizren, e cila është obliguar ta pranojë të dënuarin për trajtim dhe të njoftojë gjykatën për gjendjen e tij shëndetësore të paktën një herë në gjashtë muaj. Për këtë masë janë njoftuar edhe Shërbimi Sprovues në Prizren dhe Qendra për Punë Sociale në Dragash.
Rasti i dytë, me numër P.nr. 56/21, ka përfunduar me aktgjykim më 22 gusht 2022. Në këtë rast, Ferzidin Boza është shpallur fajtor për veprën penale “Dhuna në familje” dhe është dënuar me gjashtë muaj burgim, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda një periudhe verifikuese prej një viti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale. Edhe në këtë rast, gjykata ka shqiptuar masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, e cila do të zbatohet nga Qendra e Shëndetit Mendor në Prizren deri në përmirësimin e gjendjes mendore të tij, por jo më gjatë se tre vjet. Kjo qendër është obliguar që çdo gjashtë muaj ta informojë gjykatën për ecurinë e trajtimit.
Rasti i tretë, me numër P.nr. 65/24, është gjykuar më 17 tetor 2024. Në këtë lëndë, Boza është shpallur sërish fajtor për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe është dënuar me gjashtë muaj burgim, në të cilin është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga 30 qershori 2024 deri më 25 shtator 2024. Me propozimin dhe pëlqimin e të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij, gjykata ka vendosur që dënimi me burgim të zëvendësohet me dënim me gjobë në shumën prej 2 mijë euro. Pas zbritjes së 260 eurove, që korrespondojnë me kohën e kaluar në paraburgim, pjesa e mbetur e gjobës duhet të paguhet brenda afatit ligjor pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Gjykata Themelore në Prizren ka bërë të ditur se gjatë ditës do ta informojë opinionin publik lidhur me rrjedhën e mëtejmë të rastit, përfshirë edhe nëse pranohet ndonjë kërkesë për caktim të masës së sigurisë, si dhe për kohën e mbajtjes së seancës dëgjimore./IndeksOnline/



