Visar Azemi: LDK-ja kërkon hetim për çështjen e reduktimeve të energjisë
Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, në një konferencë për media ka thënë se LDK-ja do të iniciojë hetim parlamentar për keqmenaxhimin e sektorit të energjisë.
Sipas tij, rikthimi i reduktimeve të energjisë elektrike është dëshmi e qartë e menaxhimit skandaloz të sektorit të energjisë në Kosovë.
“Me themelimin e Kuvendit të Kosovës, do të kërkojë hetim të menjëhershëm parlamentar, për të sqaruar përgjegjësitë për krizën aktuale; auditim të pavarur dhe të plotë të shitblerjeve të energjisë elektrike ndër vite dhe depolitizim të institucioneve energjetike, pasi emërimet e fundit dëshmojnë një tendencë shqetësuese të partizimit të sektorit, duke cenuar profesionalizmin dhe pavarësinë institucionale”, ka thënë Azemi.
Azemi ka thënë se drejtori i ri i KOST-it është bashkëpronar i një biznesi privat për energji- konflikt i pastër interesi.
“Po ata që dikur thoshin se familjarët i kanë “vetëm për dasma”, sot po i shndërrojnë institucionet energjetike në strehë për emërime partiake dhe familjare. Po ata që flisnin kundër privatizimit dhe premtonin kthimin e aseteve në pronë shtetërore, sot po e përdorin sektorin e energjisë për interesa politike”, ka thënë Azemi.
Rruga përpara sipas Visar Azemit, është ndërtimi i centralit me gaz, për të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës ka kohë që kërkon dhe e ofron si zgjidhje konkrete për sigurinë energjetike dhe sigurinë kombëtare të vendit.

