Art shkëmbor në shpellë, zbulohet piktura primitive më e vjetër në botë
Gjendet një pikturë primitive në një shpellë në Indonezi. Pigmenti i gjurmës së dorës është datuar 67 mijë e 800 vjet, çka e bën të jetë gjurma më e lashtë artistike njerëzore deri më sot.
Shpella Linag Metanduno ndodhet në ishullin Sulawesi, ku edhe më parë janë zbuluar të tjera piktura prehistorike. Gjurma e dorës është me gishta të zgjatur, sikur është një simbiozë mes qenieve njerëzore dhe kthetrave të kafshëve të egra, ndoshta për të simbolizuar lidhjen e tyre të fortë.
Në këtë ishull, edhe në shpellat e tjera, janë gjetur piktura të njerëzve primitivë, ku shpesh përbëhen nga njerëz, kafshë apo figura që përfaqësojnë qenie pjesërisht njerëz e pjesërisht kafshë.
Zbulimi është mjaft i rëndësishëm nga ana artistike dhe kulturore dhe do të ndihmojë të hidhet dritë mbi lëvizjet migruese, shkaqet dhe arsyet që popullsitë e para njerëzore pushtuan këto zona të planetit.
Mendohet se ishulli Sulawesi ishte një ndër urat gjeografike që u përshkuan nga popullsitë e lashta, të cilat më pas lëvizën më në jug dhe lindje, gjatë epokës akullnajore, kur niveli i deteve ishte shumë më i ulët, drejt të ashtuquajturit Sahul, që ishte një kontinent i vetëm që përbëhej nga Australia, Tasmania dhe Guinea e Re.

