75 Mall Live Search
13:44 / E Premte, 23 Janar 2026 / S Z

Llugaliu: Importuam karburante e vetura, eksportuam metale e plastikë

Kosova gjatë vitit 2025 ka shënuar nivelin më të lartë të importit ndonjëherë, duke arritur në 7.11 miliardë euro, ndërsa eksporti ka kapur vlerën prej 943 milionë euro, kështu bën të ditur drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu.

Në një intervistë për KosovaPress, Llugaliu tha se kjo është hera e parë që importi i Kosovës tejkalon pragun prej 7 miliardë eurosh, duke shënuar rritje krahasuar me vitin paraprak.

Tek importi janë produktet minerale, e kryesisht në këtë pjesë bëjnë pjesë me një sasi dominuese lëndët djegëse, derivatet që i përdorim për qëllime të ndryshme. Mandej janë mjetet e transportit si produkte të gatshme, makineritë, pajisjet mekanike, giza dhe çeliku, plastika dhe produktet e tyre sa i përket importit. Domethënë këto janë top 5 produktet që importohen në vendin tonë nga vlera. Ndërsa sa i përket eksportit, Kosova në pjesën dërmuese të produkteve që mbizotërojnë janë metalet bazë dhe artikujt me metale bazë, plastika dhe artikujt prej tyre, ushqimet e përgatitura, pijet, alkooli dhe duhani, artikuj të ndryshëm të prodhuar siç janë mobiljet, si dhe produktet minerale, xehët në përgjithësi”, potencon ai.

Kësisoj, sipas drejtorit të i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, u arrit edhe rekordi I imporrtit prej 7.11 miliardë euro, krahas eksportit që ka kapur vlerën prej vetëm 943 milionë euro.

Dogana dhe vitin që lamë pas ka vazhduar me një performancë të kënaqshme, duke arritur kështu të sigurojmë të hyra për buxhetin e Kosovës në shumën prej 1 miliard e 668 milionë. Kjo përbën afër 8 për qind rritje më shumë sesa viti paraprak, të cilin vit kemi pasur 1 miliard e 832 milionë”, tha ai.


Por çka ndikoi në këtë rritje të importit?

“Prej fillimit të zbatimit të marrëveshjeve të tregtisë së lirë me BE-në, me Turqinë e së fundmi edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë pasur një ndikim dukshëm të rritshëm në taksat që lirohen, që në fakt kanë efekt negativ sa i përket shumës që mbledhim ne, në shumën prej 48 milionë më shumë sesa viti paraprak, duke arritur në rreth 425 milionë për vitin 2024″, tha ai.


Llugaliu, u shpreh optimist edhe për vitin që nisi javë më parë. Kjo, derisa qartëson formën se si po mblidhen të hyrat.

Ne presim të kemi një performancë të ngjashme. Besoj që ne do të vijojmë që të kemi një rritje të trendit të hyrave në këto përmasa, nëse aspektet që ndikojnë ekonominë në nivel lokal po edhe në nivel global nuk paraqesin ndonjë të papritur të madhe që mund me ndiku tek aspektet ekonomike. Përndryshe, vlen me e cek se me gjithë atë suksesin që ne kemi arritur, është shumë e rëndësishme që gati 98% e të hyrave që ne i mbledhim vijnë nga deklarimet që i bëjnë vetë bizneset, domethënë deklarime vullnetare. Është vetëm 2.4 për qind pjesa e mbetur e të hyrave që mblidhen nga shumat që dogana në bazë të veprimeve, informatave, rivlerësimeve që i ndërmerr, i siguron si të hyra shtesë në buxhetin vjetor”, nënvizon Llugaliu.

Llugaliu nuk e sheh keq as nivelin e eksportit, ani se është larg nga ai i importit.

Gjatë vitit 2025 kemi pasur eksport prej rreth 943 milionë euro, ndërsa sa i përket importit, importi ka qenë në shumën prej 7.11 miliardë euro… Po, në vitin paraprak ka qenë diku 6.35 miliardë euro. Pra është një dinamikë e rritjes pothuajse normale vit për vit që është pak a shumë krahas edhe rritjes ekonomike që bën vendi… Në fakt janë rritur të dyjat( sasia dhe vlera), për shkak se edhe tek pjesa e produkteve që në treguesin tonë është pesha si masë matëse, kemi edhe aty një rritje të theksuar”, thotë Llugaliu.

Por e pranon se ka ende shumë punë për t’u bërë në mënyrë që të rritet eksporti në vend.

Është vetë fakti i gjendjes së industrisë sonë në përgjithësi. Ne vërejmë që ka një rritje të theksuar nëse e krahasojmë me 5-6 vite më herët, kemi dyfishim të eksportit. Tani i jemi ofruar 1 miliard euro në vitin që lamë pas. Kemi politika që janë jashtëzakonisht përkrahëse për biznesin, mirëpo nuk është që industria mundet me e zënë hapin brenda natës. Kështu që janë disa faktorë historikë duke filluar që prej kohës së ish-Jugosllavisë, mandej edhe procesi i privatizimit te ne besoj që nuk e ka arritur efektet e dëshirueshme për me mundësu që me pas një tranzicion prej ekonomisë shoqërore në ekonomi të hapur të tregut, në mënyrë që kapacitetet prodhuese që kanë qenë në atë kohë të jenë mirëfilli të përdorura. Ka pasur edhe vonesa edhe në aspektin e politikave përkrahëse, sidomos për prodhuesit. Shtoja kësaj edhe pasigurinë që kemi pasur në statusin juridik si shtet deri në vitin 2008, që ka qenë pasiguri e madhe dhe për investitorët e huaj me ardhë dhe me investu në Kosovë. Janë disa, besoj, aspekte që kanë ndikuar në përgjithësi në trendin e eksportit që ne kemi aktualisht”, thotë ai.

Gjatë intervistës, Llugaliu foli edhe për procedurat doganore, për të cilat del se Kosova është kampione në Kosovë e më gjerë.

Ne në vitin 2024, në maj, e kemi në fuqi kodin e ri doganor, i cili është plotësisht në harmoni me kodin doganor të Bashkimit Evropian dhe ofron lehtësirat e fundit që zbatohen në vendet e BE-së. Po përtej kësaj, Kosova që nga viti 2017 është edhe vend anëtar i Organizatës Botërore të Doganave dhe ne jemi bërë edhe pjesë e disa konventave, përfshirë Konventën e Kyotos, që na mundëson që të kemi sistemin më të avancuar sa i përket lehtësirave tregtare. Një matës që është shumë objektiv dhe i besueshëm është koha e zhdoganimit që e bën sekretariati i CEFTA-s në Bruksel, i cili në kohë reale mat muaj për muaj sa është koha e zhdoganimit në vendet anëtare të CEFTA-s. Kosova e zë vendin e parë tani e disa vite me radhë. Domethënë, e kemi kohën më të mirë sa i përket procesit të zhdoganimit. Besoj që ky është mjeti më adekuat i matjes së performancës sonë”, thotë ai.

Por, gjithë kjo punë, deri në vitin e kaluar u bë me stafin e përmasave fillestare.

“Ne kemi normalisht kapacitete të konsoliduara në përgjithësi. Gjatë vitit të kaluar, krahas reformave të tjera, kemi bërë edhe rekrutimin e 107 zyrtarëve të rinj. Megjithatë është e nevojshme që të kemi numër më të madh për shkak të gjitha kërkesave që kanë lindur gjatë viteve, qoftë me hapjen e zyrave të reja, qoftë me rritjen e ekonomisë. Nëse e krahasojmë me vitin 2008, ne kemi pasur dyfish më shumë dërgesa në eksport dhe në import, ndërsa që staf që nga viti 2008 deri në vitin e kaluar ne nuk kemi rekrutuar. Kështu që është normalisht e domosdoshme dhe ne jemi në komunikim edhe me Ministrinë e Financave për me e rrit numrin e lejuar të stafit që rekrutojmë. Tani është me rëndësi që kemi një sistem të ndërtuar për pjesën e rekrutimit bazuar në meritë edhe me përkrahjen që kemi pas nga zyra e BE-së, me një ekspert që ka punuar për rreth 9 muaj me ekspertët tanë, me kriju një bazë të mirëfilltë që mundëson rekrutim bazuar në meritë”, deklaron Llugaliu.

Sa i përket luftës kundër kontrabandës, drejtori i Doganës bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar janë zbuluar mallra në vlerë miliona eurove, ani se mohon të jetë rritur kjo veprimtari ilegale.

“Për faktin që kemi pasur rritje të theksuar të hyrave në njërën anë, dhe në anën tjetër rritje të theksuar të zbulimeve, besoj që kemi pasur efikasitet të konsiderueshëm sa i përket luftimit të kontrabandës dhe informalitetit në përgjithësi. Gjatë vitit që kemi lënë pas, kemi pasur diku 18.4 milionë euro mallra të zbuluara, qoftë kontrabandë…Nuk besoj që ka shtim. Unë besoj që ka pasur efikasitet në zbulim, për shkak se dinamika e kontrabandës nuk është që ka pas ndonjë faktor të ri që kish me ndiku në këtë dinamikë. Mirëpo, vetë aspekti i rritjes së efikasitetit që e përmenda edhe me risitë që i kemi bërë në legjislacion, me reformën në legjislacion, edhe me reformën me gradimet, promovimet që i kemi bërë brenda për brenda organizatës, edhe numri prej 107 zyrtarëve të rinj, ne veç kemi fillu me i pa menjëherë frytet e para të efikasitetit”, thotë ai.

Edhe në këtë fushë, Llugaliu thotë se Dogana e Kosovës të jetë lartë e ranguar.

Qëndrojmë mjaft mirë, përjashto pjesën e Serbisë që është impakti më shumë politik. Në pjesën tjetër kemi bashkëpunim efikas me të gjitha vendet. Në Shqipëri siç e dini që nga viti 2022 jemi edhe me zhdoganim në Portin e Durrësit, që ka ndihmuar që të krijojmë vlera edhe për tregun tonë, po edhe për pjesën e Shqipërisë me rritje mbi 25% vit për vit në dërgesat që shkojnë në Portin e Durrësit, ndërsa portet e tjera kanë shënuar një rënie të lehtë. Po ashtu jemi përherë të angazhuar me operacionet e përbashkëta që iniciohen, mirëmbahen nga Organizata Botërore e Doganave në fusha të ndryshme, duke filluar nga kontrabanda e barnave të falsifikuara, mashtrimet e ndryshme, armë, shkatërrimit në masë. Janë disa fusha që ne vit për vit jemi pjesë e operacioneve dhe madje në shumë raste edhe kemi treguar rezultate duke u renditur, për nga numri i zbulimeve, në top dhjetëshin e mbi 150 vendeve që marrin pjesë si rëndom”shprehet Llugaliu.