Po u shmangej dherave në rrugë, përmbyset një automjet, lëndohen dy persona
Një aksident i rëndë rrugor u shënua mëngjesin e sotëm në aksin e rrugës kombëtare Librazhd–Elbasan.
Ngjarja ndodhi në vendin e njohur si “Kthesa e Murrashit”, duke shkaktuar panik te drejtuesit e mjeteve që qarkullonin në këtë segment rrugor.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti i përfshirë në aksident dyshohet se po lëvizte me shpejtësi. Gjatë tentativës për të shmangur gurë dhe dhera të rënë mbi rrugë, drejtuesi ka humbur kontrollin e mjetit. Automjeti është përplasur me mbrojtëset metalike dhe më pas është përmbysur, duke rënë sërish në trasenë e rrugës.
Fatmirësisht, mjeti nuk ka përfunduar në rrjedhën e lumit Shkumbin, çka do të kishte sjellë pasoja shumë më të rënda. Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit dhe një person tjetër kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me urgjencë drejt spitalit për ndihmë mjekësore, ndërsa automjeti ka pësuar dëmtime të konsiderueshme.
Në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë dhe autoambulanca, të cilat bënë të mundur normalizimin e qarkullimit dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë në aksin Elbasan–Librazhd–Përrenjas të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në segmentet problematike si “Kthesat e Murrashit”, “Kthesat e Dragostunjës” dhe “Kthesat e Pishkashit”, ku rrëshqitjet e dherave përbëjnë rrezik real për sigurinë rrugore.

