75 Mall Live Search
11:47 / E Hënë, 26 Janar 2026 / Z S

33 ish-kandidatë për kryetar të Komunës së Ferizajt kërkojnë zgjerim të hetimeve të rezultatit zgjedhor të 12 tetorit

Kandidati i pavarur për Kuvendin Komunal të Ferizajt, Bashkim Fazliu, ka bërë të ditur se ka dorëzuar kërkesë në Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke kërkuar zgjerim të hetimeve dhe masa të jashtëzakonshme verifikuese lidhur me procesin zgjedhor, përfshirë edhe mundësinë e rinumërimit të votave.

Fazliu deklaroi se janë dorëzuar emrat e 33 ish-kandidatëve nga Ferizaj për zgjedhjet komunale të 12 tetorit, ndërsa paralajmëroi se së shpejti pritet të dorëzohen edhe nga komuna të tjera.

Ai tha se në prokurori është kërkuar zgjerimi i hetimeve që janë duke u zhvilluar për 28 dhjetorin, duke e lidhur këtë me dyshimet për shkelje të përsëritura nga të njëjtët komisionerë.

 “Ne kemi dorëzuar 33 ish-kandidatë për zgjedhje komunale të 12 tetorit nga Ferizaj dhe shumë shpejt besoj edhe nga komunat e tjera, ne sot i dorëzuam dy kërkesa. Kërkesën e parë e kemi dorëzuar te Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe për dijeni. Në prokurori kemi bërë kërkesë për zgjerim të hetimeve që janë duke u bërë për 28 dhjetorin pasi është natyra e njëjtë, janë komisionerët e njëjtë. Ne kemi kërkuar që për arsye të modus të përsëritur atëherë ekziston dyshimi i bazuar që të njëjtit komisionerë kanë mundur që janë verifikuar që kanë bërë shkelje më 28 dhjetor, ekziston baza e dyshimit që të njëjtit kanë mundur të keqpërdorin votën apo vullnetin e qytetarëve të zgjedhjet e 12 tetorit”,

Ai shtoi se paralelisht është parashtruar kërkesë edhe në KQZ për ndërmarrjen e masave të jashtëzakonshme pas, siç u shpreh, daljes në pah të provave të reja për keqpërdorime dhe manipulime.

“Paralelisht me kërkesën tonë ne kemi bërë sot edhe kërkesën drejtuar KQZ-së për ndërmarrje të masave të jashtëzakonshme verifikuese pas daljes në pah të provave të reja të keqpërdorimeve dhe manipulimeve që kanë ndodhur më 28 dhjetor. Në zgjedhje lokale edhe një votë e bën diferencën dhe për një votë njerëzit do të ankohen që kanë mbetur jashtë vendit për një votë, dy-tre vota”, tha ai.

Sipas tij, njëra nga kërkesat drejtuar KQZ-së është edhe rinumërimi i votave, ndërsa paralajmëroi se nëse rezultati ndryshon, do të kërkohet anulimi i procesit.

“Ne KQZ i kemi kërkuar marrjen e masave të jashtëzakonshme verifikuese, njëra ndër kërkesat është edhe rinumërimi i votave. Nëse del rezultati i njëjtë për hajër ju koftë, nëse jo do të kërkojmë anulim”, theksoi Fazliu.

Fazliu ngriti edhe dyshime lidhur me asgjësimin e fletëvotimeve, duke thënë se sipas tij nuk ka gjetur njoftim zyrtar nga KQZ-ja.

“Para se me fillua kam hulumtuar faqen e KQZ-së, askund nuk kam parë një njoftim zyrtar nga KQZ-ja që janë asgjësuar fletëvotimet. Unë dëgjova që janë asgjësu, por nuk ka diçka zyrtare”, tha ai.