Nagavci njofton anulimin e vendimit për drejtor të IAK-së, thotë se u shkelën dispozitat ligjore
Ministrja në detyrë e Arsimit Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se është anuluar vendimi për zgjedhjen e Drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës.
Nagavci ka thënë se ky vendim është marrë për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore, gjatë procesit të zgjedhjes.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bazë të kompetencave të saj, ka për obligim të sigurojë respektimin e legjislacionit në fuqi. Në këtë linjë, për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore gjatë procesit të zgjedhjes, kemi anuluar vendimin për zgjedhjen e Drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës”, ka thënë Nagavci.
Ndërsa ka pohuar se Këshilli Drejtues obligohet që, pa vonesë, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për caktimin e ushtruesit të detyrës dhe shpalljen e konkursit.
“Si Ministri e Arsimit, mbesim të përkushtuar ndaj respektimit të legjislacionit dhe parimit të meritokracisë.Të gjitha shkeljet e adresuara në këtë vendim janë serioze dhe, për këtë arsye, do të procedohen më tej në organet kompetente”, ka thënë ajo./Indeksonline/

