Komunat të pafuqishme pas vërshimeve, kërkohet mbështetje nga Qeveria
Uji u tërhoq, por pas tij la pas pasigurinë, dëmet dhe frikën për të nesërmen. Vërshimet që goditën disa komuna të vendit në fillim të janarit shndërruan shtëpi në vende të pabanueshme, biznese në humbje dhe infrastrukturën në kaos.
Qindra familje në Skenderaj dhe Fushë Kosovë kanë trokitur në dyert e komunave duke kërkuar vlerësim dhe ndihmë, ndërsa institucionet lokale paralajmërojnë se pa mbështetjen e Qeverisë, përballja me pasojat e kësaj fatkeqësie mbetet e pamundur.
Në këtë situatë, kërkesa për një fond emergjent po bëhet gjithnjë e më urgjente.
Zëdhënësja e Komunës së Skenderajt, Besjana Thaçi thotë se deri në fund javës së kaluar kanë aplikuar 317 familje dhe disa biznese për vlerësim të dëmeve nga vërshimet.
Ndërsa, Komisioni komunal ka dalë në terren për t’i vlerësuar dëmet dhe më pas do të përcaktohen shumat e kompensimit.
Sipas Thaçit dora e shtetit për tu dal në ndihmë komunave, familjeve dhe bizneseve për tejkalimin e kësaj situate është e domosdoshme.
Përkrahjen nga niveli qendror e kërkon edhe komuna e Fushë-Kosovës e cila në vërshimet e fundit pësoi shumë.
Drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Fushë-Kosovës, Izja Mjeku thotë se reshjet e fillim janarit shkaktuan dëme në infrastrukturë e ekonomi familjare të cilat janë të pamundura të mbështeten vetëm nga komuna.
Sipas tij deri tani në Komisionin për vlerësim të dëmeve janë adresuar 306 kërkesa, ndërsa ekipet tashmë janë në terren për vlerësim të dëmeve.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi kërkon krijimin e një fondi emergjent për komunat, që të ketë mbështetje të shpejtë financiare në raste fatkeqësish natyrore.
Sipas tij, nevojën për këtë linjë buxhetore e shton fakti se rimbursimet deri tani kanë qenë të pamjaftueshme dhe të vonuara për familjet, bizneset dhe infrastrukturën e dëmtuar.
Që nga e enjtja, KosovaPress ka dërguar pyetje në ministrinë e Financave, Qeverinë e Kosovës dhe ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal se a kanë marr ndonjë kërkesë për mbështetje nga komunat e prekura nga vërshimet, dhe si do t’u dalin në ndihmë atyre, por deri këtë të hënë, nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.
Reshjet që nisën më 5 janar sipas Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), prekën komunat Fushë-Kosovë, Malishevë, Rahovec, Klinë, Mitrovicën e Jugut, Vushtrrinë, Drenasin, Skenderaj dhe Gjakovën.
Qeveria e Kosovës, në tetor të vitit 2023, ka ndarë nëntë milionë euro për rimëkëmbjen e ekonomive familjare të prekura nga fatkeqësitë natyrore në komunat e goditura./Indeksonline/

