75 Mall Live Search
14:54 / E Enjte, 04 Qershor 2026 / P M

Rafuna rizgjidhet në krye të Odës Ekonomike të Kosovës

Oda Ekonomike e Kosovës ka përmbyllur sot procesin e saj zgjedhor të brendshëm, ku Kuvendi Zgjedhor ka rizgjedhur z. Lulzim Rafuna në pozitën e Kryetarit edhe për një mandat të ri.

Procesi zgjedhor u zhvillua në Prishtinë, me pjesëmarrjen e delegatëve të Kuvendit, përfaqësues të komunitetit të biznesit nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit, të cilët votuan në përputhje me procedurat e rregullta demokratike të organizatës.

Pas rizgjedhjes, Kryetari Rafuna falënderoi anëtarësinë për besimin e dhënë, duke theksuar se ky besim përbën një përgjegjësi të madhe për të vazhduar angazhimin në forcimin e rolit të OEK-së si zëri kryesor i komunitetit të biznesit në Kosovë.

Ai u zotua se, gjatë mandatit të ri, fokusi do të jetë në avancimin e dialogut me institucionet vendore, përmirësimin e klimës së të bërit biznes, si dhe në kontribuimin për përmirësimin e imazhit ekonomik të Republikës së Kosovës.

Oda Ekonomike e Kosovës mbetet e përkushtuar në përfaqësimin dhe mbështetjen e bizneseve, me synim krijimin e një ambienti më të favorshëm për zhvillim ekonomik dhe rritje të qëndrueshme.