Drogoi deputeten për të abuzuar seksualisht me të, dënohet me burgim ish- senatori francez
Një ish-senator francez është shpallur fajtor me akuzën se hodhi ekstazi në pijen e një deputeteje me qëllim sulmin seksual ndaj saj.
Joel Guerriau u dënua me katër vjet burgim, 18 muaj nga të cilët do të vuajë pas hekurave dhe, sipas mediave lokale, u urdhërua t’i paguante Sandrine Josso 5,000 euro dëmshpërblim për shqetësim emocional.
Guerriau, tani 68 vjeç, e ftoi Jossonin, 50 vjeç, në apartamentin e tij në Paris në nëntor 2023. Ai më vonë pranoi se i kishte shërbyer asaj një pije të mbushur me MDMA, por pohoi se ishte një aksident dhe mohoi të kishte ndonjë qëllim për ta sulmuar atë.
Sipas dokumenteve të gjykatës të cituara nga mediat franceze, Josso tha se kishte shkuar në shtëpinë e Guerrieau tre vjet më parë për të festuar rizgjedhjen e tij kur filloi të ndihej keq pasi piu një gotë shampanjë.
“Kisha shkuar për të vizituar një shok dhe zbulova një agresor,” tha ajo të hënën ndërsa jepte dëshmi në gjyq. “Ai më shikoi me këmbëngulje, nuk e kisha parë kurrë në atë mënyrë. Nuk doja t’i tregoja dobësinë time, sepse isha e shqetësuar se nëse do t’i thoja se nuk ndihesha mirë, do të më kishte detyruar të shtrihesha.”
Josso kujtoi se ia doli të largohej nga apartamenti dhe, me ndihmën e një kolegu, shkoi në spital ku një raport toksikologjik konfirmoi se gjaku i saj kishte tri herë më shumë dozë rekreative të MDMA-së.
“Më vjen keq për Sandrine”, i tha Guerriau gjykatës në Paris. “Jam i neveritur me veten time, me pamaturinë dhe budallallëkun tim”.

