75 Mall Live Search
16:59 / E Enjte, 29 Janar 2026 / Gj Sh

Rekorde historike në tregun global të transferimeve për vitin 2025, publikohen shifrat

Raporti Global i Transferimeve i FIFA-s për vitin 2025 ka konfirmuar një vit historik për futbollin botëror, me shifra që thyejnë çdo rekord të mëparshëm.

Gjatë vitit janë përfunduar 86,158 transferime ndërkombëtare, numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë, duke reflektuar rritjen e vazhdueshme të lëvizjes së lojtarëve në tregun global, shkruan IndeksOnline.

Në aspektin financiar, futbolli profesionist i meshkujve ka arritur një tjetër kulm, me 13.08 miliardë dollarë të shpenzuara për tarifa transferimi, një rekord absolut i të gjitha kohërave.

Këto shifra dëshmojnë fuqinë ekonomike gjithnjë në rritje të industrisë së futbollit dhe intensifikimin e konkurrencës mes klubeve elitare.

Anglia vazhdon të dominojë tregun e transferimeve, duke u renditur në vendin e parë si për shpenzime, ashtu edhe për të ardhura. Klubet angleze kanë shpenzuar gjithsej 3.82 miliardë dollarë, ndërsa kanë arkëtuar 1.77 miliardë dollarë nga shitjet e lojtarëve, duke konfirmuar epërsinë financiare të Premier League krahasuar me ligat e tjera evropiane.

Momenti kulmor i vitit 2025 ishte nënshkrimi më i shtrenjtë i sezonit, transferimi i sulmuesit Alexander Isak te Liverpool, për shumën rekord prej 172 milionë dollarësh (125 milionë paund). Kjo marrëveshje jo vetëm që kryeson listën e transferimeve më të shtrenjta të vitit, por përfaqëson edhe ambiciet e mëdha të klubit nga Anfield për të qëndruar në majën e futbollit evropian.

Raporti i FIFA-s për vitin 2025 konfirmon qartë se tregu i transferimeve po hyn në një epokë të re, ku shifrat rekord po bëhen gjithnjë e më shumë standard, ndërsa diferencat financiare mes ligave vazhdojnë të thellohen./IndeksOnline/