Hasani: Reagimi i Bashës shenjë se LVV do të vazhdojë me rrënimin e rendit Kushtetues
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka kritikuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, për interpretimet publike të Kushtetutës, duke i cilësuar ato si shprehje të vullnetit partiak dhe jo si mendime të pavarura institucionale.
Pas aktgjykimit të organit më të lartë juridik, ku konstatohet jokushtetuese zgjedhja e Nenad Rashiq si nënkryetar i Kuvendit në legjislaturën e kaluar, Basha, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, e kundërshtoi aktgjykimin e Kushtetueses, duke vlerësuar se ai është në shpërputhje me Kushtetutën dhe përmban gabime thelbësore në interpretimin dhe zbatimin e normave përkatëse.
Profesori i së drejtës ndërkombëtare, në një intervistë me shkrim për KosovaPress, thotë se ky reagim paraqet shenja se Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë me praktikën, siç e konsideron ai, të rrënimit të rendit kushtetues, shantazhit dhe kërcënimeve ndaj gjyqtarëve dhe të gjithë atyre që nuk mendojnë se pakica serbe duhet të nxirret jashtë sistemit kushtetues.
Madje, i njëjti deklaron se kjo logjikë e LVV-së, “përmes politikave shkelëse të Kushtetutës, uzurpimit të posteve publike, kërcënimeve dhe fyerjeve ndaj qytetarëve të vendit, vetëm sa përshpejton implementimin e autonomisë serbe në Kosovë”.
Kjo është intervista e plotë:
Si e vlerësoni faktin që drejtues të Kuvendit kanë interpretuar publikisht Kushtetutën, edhe pas aktgjykimit?
Enver Hasani: Sikundër dihet, në Kosovë deputetët dhe prononcimet e tyre për çështjet me karakter politik sistemik nuk janë mendime dhe vlerësime të tyre të lira, por të liderit të partisë. Kjo ka qenë gjithmonë e ditur edhe te partitë e tjera dhe, në rastin konkret, është edhe më e theksuar. Mënyra sesi shprehet zoti Basha, duke u vetquajtur akoma kryetar i Kuvendit të Kosovës, paraqet shenjë se partia në pushtet do të vazhdojë me praktikën e rrënimit të rendit kushtetues, shantazhit dhe kërcënimeve ndaj gjyqtarëve dhe të gjithë atyre që nuk mendojnë se pakica serbe duhet të nxirret jashtë sistemit kushtetues. Kjo logjikë e pushtetit, përmes politikave shkelëse të Kushtetutës, uzurpimit të posteve publike, kërcënimeve dhe fyerjeve ndaj qytetarëve të vendit, vetëm sa përshpejton implementimin e autonomisë serbe në Kosovë. Nëse vazhdohet me kësi politike, është e sigurt që do të rritet roli dhe pozita e faktorit ndërkombëtar në Kosovë, me oferta që prekin themelet e shtetësisë së Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008. Më lejoni për fund të them se vendimi i sotëm do të ishte i njëjtë edhe sikur gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të ishin soji i Dimal Bashës dhe i cilitdo prej militantëve më të thekur të partisë fituese të votave. Po të kishte qenë ndryshe, do të kishte humbur misioni i Gjykatës Kushtetuese dhe do të ishte rrënuar autoriteti i saj moral e profesional. Një ditë do të jemi anëtarë të Këshillit të Evropës dhe, për rrjedhojë, anëtarë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku do të bëhet vlerësimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese si instanca e fundit e drejtësisë në Kosovë. Atëherë do të shihet përmasa dramatike e diskriminimit të shtetasve të Kosovës, në rast të vendimeve diskriminuese dhe arbitrare nga kjo Gjykatë dhe institucionet e tjera publike në Kosovë.
Si e keni parë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ku cilësohet jokushtetues vendimi i legjislaturës së nëntë për zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga komuniteti serb?
Enver Hasani: Besoj se edhe çobanët e kanë ditur se zgjedhja me propozim të deputetit shqiptar e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb është jokushtetuese. Do të ishte për çudi sikur vendimi të ishte ndryshe. Në fakt, sikur vendimet e Gjykatës Kushtetuese të bazoheshin në logjikën e interpretimeve emocionale të laikëve dhe të ndonjë “konstitucionalisti” digjital që kërcënon dhe fyen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, atëherë me dy a tri vendime do të rrënohej kredibiliteti moral e profesional i kësaj Gjykate. Edhe sikur anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të ishin njerëz militanë të pushtetit të LVV-së, interpretimi i Kushtetutës do të ishte i njëjtë. Sikur të ishte ndryshe, Gjykata Kushtetuese, me dy a tri vendime, do të detyrohej të mbyllte vetveten, kurse gjyqtarët militantë do të riktheheshin në jetën politike.
Gjykata ka thënë se zgjedhja ishte jokushtetuese, por pa efekt prapaveprues. A është kjo një zgjidhje kompromisi juridik, apo standard i zakonshëm kushtetues?
Enver Hasani: Jo, fare nuk bëhet fjalë për kompromis politik, sepse Gjykata Kushtetuese nuk merret me kompromise të tilla. Këtu bëhet fjalë për një gjykim standard, ku Gjykata Kushtetuese menaxhon pasojat juridike të vendimeve të saj. Kjo e drejtë i njihet me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat e brendshme të saj. Për më tepër, ky juridiksion është gjerësisht i njohur në të gjitha gjykatat kushtetuese evropiane. Në Itali, Gjermani, Spanjë, Çeki dhe në secilën prej gjykatave kushtetuese evropiane ekziston vendimmarrja ku shpallet jokushtetues një veprim ose mosveprim, kurse pasojat juridike caktohen nëse do të veprojnë për të ardhmen ose për të kaluarën. Në Kosovë, ky standard, për herë të parë, është zbatuar në rastin e Behxhet Pacollit, ku është konstatuar shkelja kushtetuese, por nuk janë anuluar vendimet dhe aktet tjera të zotit Pacolli sa ka qenë President i Kosovës. Kjo është krejt praktikë normale evropiane. Atëherë, nëse ju kujtohet, ka pasur kritika dhe sharje në adresën time nga lloj-lloj injorantësh, juristë dhe jo jurist, që nuk kuptonin natyrën e punës së Gjykatës Kushtetuese.+
Çfarë precedenti krijon ky aktgjykim për rastet e ardhshme të bllokadave parlamentare, si dhe për legjislaturën e ardhshme?
Enver Hasani: Ky aktgjykim nuk krijon asnjë precedent. Gjykata ka thënë se veprimet e LVV-së dhe të gjithë spektrit politik deri në konstituimin e legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e shkurtit 2025 kanë qenë kushtetuese dhe se duhet të vazhdohet me të njëjtën praktikë, nëse duan që shteti i Kosovës, i shpallur më 17 shkurt 2008, të ekzistojë si anëtar i barabartë i familjes euro-atlantike të shteteve. Pikërisht për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese ia ka rikujtuar partisë fituese të zgjedhjeve se demokracia e shumicës nuk mund të jetë tirani ndaj askujt, në veçanti ndaj komuniteteve pakicë. Nuk ka qenë tirani e tillë as më 2021, kur LVV-ja ka votuar nënkryetarin e komunitetit pakicë serb. Kjo praktikë e vitit 2021 duhet të vazhdojë, sepse, siç ka thënë Gjykata, e detyron paragrafi 7 i nenit 58 [Përgjegjësitë e Shtetit] të Kushtetutës, i cili thotë si vijon: “Republika e Kosovës siguron, në baza jodiskriminuese, që të gjitha komunitetet dhe pjesëtarët e tyre të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre, të specifikuara me këtë Kushtetutë”. Rashiqi, siç e kam thënë disa herë, nuk e përfaqëson komunitetin serb; atë e përfaqësojnë ata që kanë më shumë ulëse në Kuvendin e Kosovës. Më lejoni t’ia rikujtoj qytetarit të Kosovës se Rregullorja e Punës së Kuvendit të Kosovës është miratuar më 2022 nga LVV-ja dhe përmban dispozita fund e krye kushtetuese dhe duhet të zbatohet. Gjykata Kushtetuese, në një aktgjykim të mëhershëm, ka bërë të qartë se nën juridiksionin e saj bie edhe kontrolli kushtetues i Rregullores së Kuvendit, për shkak se është akti i vetëm nënligjor që definohet dhe kornizohet me Kushtetutën e Kosovës.
E shihni të mundshme ndonjë bllokadë në rastin e konstituimit të legjislaturës së dhjetë, nëse nuk votohet sërish i propozuari i Listës Serbe për nënkryetar?
Enver Hasani: Vetëm mund të spekuloj për këtë. Ajo që mund të them është se Shteti i Kosovës forcohet dhe integrohet në familjen euro-atlantike vetëm duke zbatuar me përpikëri Kushtetutën e Kosovës dhe detyrimet ndërkombëtare të marra me Planin Ahtisari për të mbrojtur dhe garantuar të drejtat kushtetuese të të gjitha komuniteteve të Kosovës. Fundja, ky detyrim është edhe civilizues: nga mbrojtja dhe garantimi i të drejtave kushtetuese të të gjitha komuniteteve të Kosovës shihet niveli civilizues i Republikës së Kosovës dhe i liderëve të saj.
Si e vlerësoni faktin që drejtues të Kuvendit kanë interpretuar publikisht Kushtetutën, edhe pas aktgjykimit?
Enver Hasani: Sikundër dihet, në Kosovë deputetët dhe prononcimet e tyre për çështjet me karakter politik sistemik nuk janë mendime dhe vlerësime të tyre të lira, por të liderit të partisë. Kjo ka qenë gjithmonë e ditur edhe te partitë e tjera dhe, në rastin konkret, është edhe më e theksuar. Mënyra sesi shprehet zoti Basha, duke u vetëquajtur akoma kryetar i Kuvendit të Kosovës, paraqet shenjë se partia në pushtet do të vazhdojë me praktikën e rrënimit të rendit kushtetues, shantazhit dhe kërcënimeve ndaj gjyqtarëve dhe të gjithë atyre që nuk mendojnë se pakica serbe duhet të nxirret jashtë sistemit kushtetues. Kjo logjikë e pushtetit, përmes politikave shkelëse të Kushtetutës, uzurpimit të posteve publike, kërcënimeve dhe fyerjeve ndaj qytetarëve të vendit, vetëm sa përshpejton implementimin e autonomisë serbe në Kosovë. Nëse vazhdohet me kësi politike, është e sigurt që do të rritet roli dhe pozita e faktorit ndërkombëtar në Kosovë, me oferta që prekin themelet e shtetësisë së Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008. Më lejoni për fund të them se vendimi i sotëm do të ishte i njëjtë edhe sikur gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të ishin soji i Dimal Bashës dhe i cilitdo prej militantëve më të thekur të partisë fituese të votave. Po të kishte qenë ndryshe, do të kishte humbur misioni i Gjykatës Kushtetuese dhe do të ishte rrënuar autoriteti i saj moral e profesional. Një ditë do të jemi anëtarë të Këshillit të Evropës dhe, për rrjedhojë, anëtarë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku do të bëhet vlerësimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese si instanca e fundit e drejtësisë në Kosovë. Atëherë do të shihet përmasa dramatike e diskriminimit të shtetasve të Kosovës, në rast të vendimeve diskriminuese dhe arbitrare nga kjo Gjykatë dhe institucionet e tjera publike në Kosovë.
A po shohim një prirje ku institucionet politike sfidojnë autoritetin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese?
Enver Hasani: Pa asnjë dyshim ekziston kjo prirje.
A mendoni se vendimi do të forcojë apo dobësojë pozitën e Listës Serbe në raport me institucionet e Kosovës?
Enver Hasani: Nuk bëhet fjalë për forcim të pozitës së Listës Serbe, e cila, tek e fundit, ka ushtruar një të drejtë kushtetuese dhe ka fituar një rast kushtetues, jo duke u bazuar në Kushtetutën e Serbisë, por në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ky është një sukses i madh i Kosovës, sepse serbët lokal dhe përfaqësuesit e tyre e kanë kuptuar se akoma ka vend brenda sistemit kushtetues kosovar për t’ua realizuar të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë dhe konventa ndërkombëtare. Çdo privim i kësaj të drejte të serbëve lokal vetëm sa legjitimon kërkesat e tyre për autonomi politiko-territoriale.

