Trump: Biznesi i Britanisë me Kinën, shumë i rrezikshëm
Presidenti amerikan Donald Trump duket se nuk e ka pritur mirë rivendosjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit mes Britanisë së Madhe dhe Kinës, rivalit kryesor të SHBA-ve.
I pyetur nga gazetarët, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se afrimi me Pekinin nuk është rruga e duhur as për Britaninë e Madhe e as për Kanadanë.
“Epo, është shumë e rrezikshme që ata ta bëjnë këtë, dhe është edhe më e rrezikshme, mendoj unë, që Kanadaja të hyjë në biznes me Kinën. Kanadaja nuk po shkon mirë. Dhe nuk mund ta shikosh Kinën si përgjigje”.
Downing Street dhe Ministria e Jashtme e Kinës nuk i kanë komentuar qëndrimet e Trump, ndërsa ministri i Departamentit të Tregtisë Britanike, Chris Bryant, tha se kreu i Shtëpisë së Bardhë po gabohej.
Presidenti Trump, i cili vetë po planifikon të udhëtojë në Kinë në prill, ka kërcënuar se do të vendosë tarifa ndaj Kanadasë, pasi kryeministri i vendit, Mark Carney, arriti marrëveshje ekonomike me Pekinin gjatë një vizite jo shumë kohë më parë.
Shefi i qeverisë së Londrës, Keir Starmer, është nga të fundit liderë perëndimorë që vizitojnë Kinën në përpjekje për të gjetur rrugë alternative përballë paparashikueshmërisë së presidentit Donald Trump dhe kërcënimeve të tij të herëpashershme me tarifa.

