75 Mall Live Search
14:33 / E Shtunë, 31 Janar 2026 / F.R

Trump paralajmëron ndërtimin e ‘Harkut të Pavarësisë’ 75 metra të lartë në Washington, ekspertët: Prish ekuilibrin vizual të vendit

Një plan për ndërtimin e një “Harku të Pavarësisë” të përhershëm pranë Urës Memoriale, midis Memorialit të Linkolnit dhe Varrezave Kombëtare të Arlingtonit, po shqetëson arkitektë dhe historianë për shkak të ndikimit në peizazhin monumental të kryeqytetit amerikan.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po shqyrton mundësinë e ndërtimit të një harku triumfi të përhershëm rreth 75 metra të lartë, në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Monumenti, i quajtur “Harku i Pavarësisë”, parashikohet të vendoset në Memorial Circle, një rrethrrotullim pranë Urës Memoriale, midis Memorialit të Linkolnit dhe Varrezave Kombëtare të Arlingtonit.

Madhësia e monumentit ka ndezur menjëherë debate. Me gati dy herë e gjysmë lartësinë e Shtëpisë së Bardhë dhe dukshëm më i lartë se Memoriali i Linkolnit, harku pritet të dominojë boshtin monumental të zonës. Sipas ekspertëve, kjo do të prishte ekuilibrin vizual, duke kufizuar pamjet drejt Arlington House dhe lumit Potomac.

Trump e ka krahasuar publikisht projektin me Harkun e Triumfit në Paris, duke deklaruar se versioni amerikan do ta “tejkalonte shumë”. Për krahasim, Harku i Triumfit është 49.5 metra i lartë, çka do ta bënte strukturën e propozuar në Uashington një nga harqet triumfale më të mëdha në botë.

Qarqet arkitekturore dhe historike, që fillimisht e mirëpritën idenë e një monumenti simbolik për përvjetorin e pavarësisë, tashmë po shprehin rezerva serioze për shkallën dhe vendndodhjen. Sipas Washington Post, kritiku i artit Catesby Lee, i cili më herët kishte sugjeruar një hark më të vogël dhe të përkohshëm, rreth 20 metra i lartë, thekson se një strukturë kaq e madhe dhe e përhershme “nuk i përket” këtij vendi. Ai ka përmendur gjithashtu arkitektin Nicholas Leo Charbonneau, i cili raportohet se po bashkëpunon me Shtëpinë e Bardhë për projektin.

Një tjetër shqetësim lidhet me vendosjen e monumentit në një nyje trafiku të ngarkuar, çka do të ndryshonte karakterin “serioz dhe përkujtimor” të korridorit që historikisht lidh simbolikisht Veriun dhe Jugun pas Luftës Civile. Po ashtu, qasja për këmbësorët do të ishte e vështirë për shkak të trafikut të dendur rreth Memorial Circle.

Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe pamjes nga Varrezat Kombëtare të Arlingtonit drejt Uashingtonit. Sipas ekspertëve, kjo panoramë është pjesë thelbësore e përvojës së vizitorëve dhe një hark i përmasave të tilla do ta riformësonte ndjeshëm.

Në aspektin politik, projekti shoqërohet me lëvizje që mund të lehtësojnë miratimin e tij. Trump emëroi së fundmi biznesmenin Rodney Mims Cook Jr. në Komisionin e Arteve të Bukura, organi federal që shqyrton projektet e monumenteve të reja në kryeqytet. Presidenti ka publikuar gjithashtu në rrjetet sociale imazhe të varianteve të mundshme të harkut, përfshirë versione me detaje ari.

Sa i përket financimit, është hedhur ideja që ndërtimi të mbulohet nga donacione private të mbetura nga një tjetër projekt i Shtëpisë së Bardhë, salla e banketeve, me një kosto të vlerësuar rreth 400 milionë dollarë. Megjithatë, çdo monument i ri në Uashington kërkon miratim nga disa komitete dhe, në raste të caktuara, edhe pëlqimin e Kongresit.