75 Mall Live Search
09:54 / E Martë, 03 Shkurt 2026 / S Z

Nënkryetari serb “bllokon” konstituimin e kuvendit?

Konstituimi i kuvendit mund të përfundojë sërish në Gjykatën Kushtetuese, nëse deputetët e partive parlamentare nuk e respektojnë vendimin e fundit të gjykatës, i cili ia ka dhënë të drejtën Listës Serbe, si grupi më i madh parlamentar nga komuniteti serb, ta ketë postin e nënkryetarit. Juristi Anton Nrecaj, ndër të tjera, paralajmëron deputetët se duke vepruar ndryshe do të bënin shkelje të tjera kushtetuese.

“Të gjithë deputetët e kuvendit, të cilët do ta votonin një kandidat që bie ndesh me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, fillimisht do të kishin shkelur Kushtetutën dhe nuk do ta kishin respektuar aktgjykimin e saj, i cili përcakton normat se si duhet të zgjidhet nënkryetari nga komuniteti serb”, tha Ndrecaj për rtv21.

Por, pavarësisht këtyre paralajmërimeve, deputetët e LVV-së dhe as ata të partive të tjera, nuk kanë dhënë sinjale të qarta se mund ta votonin një kandidat nga Lista Serbe për nënkryetar të kuvendit. Deputetja e zgjedhur e LVV-së, Mimoza Kusari, tha se ende nuk kanë vendosur se si do të veprojnë në këtë pikë, por përmendi disa prej arsyeve pse nënkryetari i kuvendit nuk duhet të zgjidhet nga Lista Serbe.

“Ky subjekt nuk ka treguar as vullnetin minimal për të marrë përgjegjësi mbi aktet e tmerrshme që drejtuesit e këtij subjekti politik i kanë bërë kundër shtetit të Kosovës dhe sovranitetit të saj, tha Kusari Lila.

Ish-kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se ai nuk është në harmoni me Rregulloren e punës së kuvendit. Basha ka dhënë sinjale se do t’i mbrojë veprimet e tij edhe në të ardhmen, pasi kishte propozuar që përmes shortit të zgjedhet nënkryetar i kuvendit deputeti Nenad Rashiq.

“Hipotetikisht, mund ta kemi një situatë të ngjashme me herën e kaluar. Sipas rregullores së kuvendit, e drejta për interpretimin e saj i takon kryetarit të kuvendit. Kryetari i zgjedhur i kuvendit mund ta shpallë kuvendin të konstituuar me zgjedhjen e nënkryetarëve, por kuvendi mund të vazhdojë punën duke mbajtur seanca deri në momentin kur i njëjti vendim mund të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese”, shtoi Ndrecaj.

Profesoresha Arta Tahiri vlerëson se partive politike iu mungon bashkëpunimi për tejkalimin e sfidave në formimin e institucioneve të reja, prandaj, sipas saj, po ndodhin bllokada politike. Tahiri pret që përmes një marrëveshjeje politike të tejkalohen sfidat në formimin e institucioneve, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit të ri.

“Besoj se duhet të ketë një marrëveshje. Është jashtëzakonisht jetike dhe çështje e moralit politik që subjekti i parë politik, i cili propozon presidentin apo presidenten, të ketë një marrëveshje që krijon stabilitet. I duhet një marrëveshje politike, pavarësisht se ka rreth 51% të votave z. Kurti, për të kaluar edhe disa ligje ndërkombëtare që janë të rëndësishme për shumicën parlamentare”, tha Tahiri.

Pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit nga KQZ-ja dhe përfundimit të afatit për ankesa, hapet rruga për konstituimin e kuvendit me zgjedhjen e kryetarit të ri dhe pesë nënkryetarëve: tre nga partitë më të mëdha shqiptare dhe dy nga komunitetet pakicë, serb dhe jo serb.