PZAP ia refuzon si të pabazuara dy ankesat e Bekim Haxhiut
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka refuzuar si të pabazuara dy ankesat e bëra nga kandidati për deputet i PDK-së, Bekim Haxhiu.
Në ankesën e parë, Haxhiu ka thënë se zbatimi i kuotës gjinore nga ana e KQZ-së është bërë në mënyrë automatike dhe mekanike, pa vlerësim proporcional dhe pa baalncim me parimin kushtetues të barazisë së votës, dhe se një zbatim i tillë ka përmbysur renditjen reale të kandidatëve sipas votave të fituara dhe ka cenuar drejtpërdrejt vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, të shprehur përmes votës së lirë, të barabartë dhe të drejtpërdrejtë.
Kjo ankesë e tij ka ardhur pasi ndonëse është rënditur i 20-ti në listën e PDK-së sipas votave personale të fituara, ai ka mbetur jashtë listës përfunditare të deputetëve nga PDK për shkak të kuotës gjinore.
Sipas PZAP-së, ankesa është e pabazuar pasi që sipas tyre KQZ ka vepruar drejt sepse respektimi i kuotës nënkupton përfaqësim minimum 30% të gjinisë së kundërt, andaj vendimi i KQZ-së vendosin se është i drejtë dhe i ligjshëm.
Vendimi i plotë
Përveç kësaj, Haxhiu në PZAP ka paraqitur ankesë edhe për votat me postë. Ai ka kërkuar që të anulohen të gjitha fletëvotimet e pranuara me postë pas datës 29.12.2025 që janë përfshirë edhe në rezultatet përfundimtare të shpallura nga KQZ, më datë 31 janar 2026 për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Ankesa është e pabazuar sipas PZAP-së sepse sipas tyre nuk mund të vërtetohet se ka pasur parregullsi gjatë pranimit të votave me postë dhe se të njëjtat janë përfshirë në rezultatet përfundimtare.
“Paneli, nuk mund të vërtetoj një pretendim të tillë për faktin se pala ankuese pretendimet e tij nuk i ka mbështetur në prova bindëse se njëjti ka qenë i jashtë afatit të pranuara, aq më tepër kur vendimi i KQZ-së për shkurtimin e afateve, i datës 10.12.2025, është miratuar me votat e të gjithë anëtarëve të KQZ-së, për çka kishte pajtueshmëri në mesin e të gjithë anëtarëve të KQZ-së, duke përfshirë edhe përfaqësuesin e subjektit politik në KQZ nga vjen ankuesi, dhe se përveçse nuk është kontestuar nga asnjë palë, ka orientuar secilin akterë që të veprojë në përputhje me këto afate të përcaktuara, e i cili vendim nuk është atakuar në PZAP brenda afateve ligjore për ankesë, për çka edhe tanimë kjo çështje konsiderohet se ka marrë epilog sa i përket rregullsisë së pranimit të votave me postë”, thuhet në arsyetimin e PZAP-së.
Vendimi i plotë:
Në lidhje me ankesat e tij në PZAP, dje ka njoftuar edhe vetë Haxhiu.
Ai ka thënë se dy ankesat kanë të bëjnë me:
Përfshirjen e 23,323 pakove të fletëvotimeve me postë nga votimi jashtë Kosovës, të pranuara pas afatit ligjor, në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme;
Llogaritjen e gabuar të rezultatit përfundimtar, i cila ka ndikuar në ndarjen e mandateve dhe renditjen e kandidatëve, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura me 28.12.2025.
“Afatet zgjedhore dhe barazia e votës nuk janë rekomandime, ato garantojnë barazinë e votës dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor. Asnjë vendim administrativ i KQZ, nuk mund të ndryshojë ligjin dhe Kushtetutën. Nuk kërkoj privilegj. Kërkoj vetëm zbatim të barabartë të ligjit dhe Kushtetutës. Mbrojtja e votës së ligjshme është mbrojtje e demokracisë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

