“Nata e tmerrit”/ Mitrovica përkujton 26-vjetorin e spastrimit etnik
Sot organizohen aktivitete përkujtimore në nderim të 26-vjetorit të Natës së tmerrit, një ngjarje tragjike që shënon dhunën dhe spastrimet etnike ndaj shqiptarëve në veri të Kosovës.
Në orën 11:00 do të bëhet vendosja e një pllake përkujtimore tek ura e re për këmbësorë, si një simbol përkujtimi për viktimat.
Më pas, në orën 12:00, në Qendrën e Kulturës do të hapet ekspozita me fotografi të Natës së Tmerrit, e cila dokumenton dhe tregon dhimbjen e asaj nate tragjike.
Në orën 12:30, përkujtimi do të vazhdojë me ndezjen e qirinjve tek ura e re, një homazh simbolik për ata që humbën jetën dhe për ngjarjet e asaj nate.
26 vjet më parë, në natën mes 3 dhe 4 shkurtit 2000, përmes aksionit të organizuar nga policia serbe dhe grupi paraushtarak “Rojet e urës”, u krye spastrim etnik në zonën veriore të Mitrovicës, duke dëbuar dhunshëm mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre në jug të lumit Ibër.
Gjatë këtij aksioni u vranë 10 shqiptarë dhe u plagosën 25 të tjerë.
Në përkujtim të viktimave, me dhimbje dhe respekt, kujtohen emrat e tyre: Nezir Voca, Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi, nga mosha 13 deri në 65 vjeç.

