75 Mall Live Search
15:43 / E Mërkurë, 04 Shkurt 2026 / Gj Sh

Taulant Xhaka dhe Jurgen Gjasula vizitojnë talentët e ardhshëm të kombëtares

Elite Youth Development Academy zhvilloi një aktivitet të veçantë edukativ dhe motivues, duke mirëpritur dy ish-lojtarë të Kombëtares shqiptare, Taulant Xhaka dhe Jurgen Gjasula, në një vizitë që synonte ndarjen e eksperiencave dhe frymëzimin e brezit të ri të futbollistëve.

Gjatë kësaj pasditeje, Xhaka dhe Gjasula u angazhuan në një bashkëbisedim të hapur me lojtarët e akademisë, ku ndanë histori nga karriera e tyre profesionale, duke u ndalur te momentet kyçe, sfidat e përballuara dhe rëndësia e përkushtimit të vazhdueshëm në çdo fazë të zhvillimit sportiv.

Ish futbollistët e Kombëtares theksuan rëndësinë e mentalitetit korrekt, disiplinës dhe punës së përditshme, duke i inkurajuar të rinjtë të shfrytëzojnë maksimalisht proceset stërvitore dhe edukative që ofron Elite Youth Development Academy.

Vizita nuk u kufizua vetëm në aspektin teorik, pasi Taulant Xhaka dhe Jurgen Gjasula kaluan disa orë së bashku me djemtë, duke marrë pjesë në aktivitete sportive dhe lojëra të ndryshme, si dhe duke i shoqëruar ata në rutinën e përditshme të akademisë. Kjo krijoi një lidhje më të afërt dhe një përvojë autentike, ku lojtarët e rinj patën mundësinë të mësojnë nga afër përmes shembullit.

Kjo iniciativë përforcon misionin e Elite Youth Development Academy dhe FSHF-së për të investuar jo vetëm në zhvillimin sportiv, por edhe në formimin njerëzor të futbollistëve të rinj, duke sjellë pranë tyre figura që kanë përfaqësuar me dinjitet futbollin shqiptar në nivele të larta.