Organizatat studentore të Kosovës mbështesin Marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt
Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, janë takuar sot me përfaqësuesit e organizatave studentore UDS, SKV, USPE dhe REFORMA, të cilat janë pjesë e Parlamentit Studentor të Kosovës.
Gjatë takimit, organizatat studentore kanë shprehur mbështetjen e tyre të plotë për Marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, duke theksuar se studentët, historikisht, por edhe sot, kanë qenë dhe mbesin në ballë të thirrjeve për dinjitet, drejtësi dhe liri në Kosovë.
Eliza Hoxha ka theksuar se përfshirja e studentëve në këtë marsh është mesazh i fuqishëm qytetar:
“Studentët kanë qenë gjithmonë zëri më i ndershëm dhe më i guximshëm i shoqërisë sonë. Mbështetja e tyre për Marshin ‘Drejtësi, jo politikë’ dëshmon se kjo nuk është një kauzë e një grupi, por një thirrje e brezit që kërkon drejtësi dhe respekt për historinë tonë çlirimtare”, ka thënë Hoxha.
Ndërkaq, Ismail Tasholli ka theksuar se marshi i 17 shkurtit nuk është kundër askujt, por në mbrojtje të parimeve themelore:
“Ky marsh është një thirrje qytetare për respektimin e drejtësisë dhe për mbrojtjen e të vërtetës së luftës çlirimtare të popullit tonë. Pjesëmarrja dhe mbështetja e studentëve i jep kësaj thirrjeje legjitimitet moral dhe shoqëror”, ka thënë Tasholli.
Hoxha dhe Tasholli i falënderuan organizatat studentore për përkrahjen, duke vlerësuar angazhimin e tyre si dëshmi se shoqëria kosovare, e udhëhequr edhe nga të rinjtë, nuk do të heshtë përballë padrejtësive.
Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në të gjitha komunat e Kosovës dhe me të gjithë akterët e rëndësishëm të shoqërisë, me qëllim të mobilizimit sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.

