75 Mall Live Search
23:05 / E Diele, 08 Shkurt 2026 / F.R

Në dy javët e ardhshme mbahet fjala përfundimtare në rastin në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së

Deklaratat përmbyllëse në gjykimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit do të nisin që nga e hëna dhe do të zgjasin deri të më 18 shkurt.

Nga 9 deri më 18 shkurt, në Dhomat e Specializuara do të shpalosen fjalët përfundimtare të prokurorisë dhe ekipeve mbrojtëse në rastin më të madh të Speciales. Të hënën dhe të martën pritet deklarata përmbyllëse e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe e Mbrojtësit të Viktimave. 

Të mërkurën fjalën përfundimtare e nis mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, e një ditë më vonë edhe ajo e Rexhep Selimit. Krejt në fund të javës, të premten, fjala përfundimtare e mbrojtjes së ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Më 17 shkurt, kur Kosova e feston ditëlindjen e saj të 18-të, si dhe një ditë para përmbylljes së paralajmëruar të gjykimit është paralajmëruar marsh paqësor nga organizata joqeveritare “Liria ka emër” në Prishtinë për të shprehur mbështetje për katër të akuzuarit në Hagë. Protesta janë organizuar edhe më herët – në Prishtinë, Shkup, Tiranë, Hagë dhe Strasburg.

“Liria ka Emër” njofton dhe njëkohësisht fton qytetarët e Kosovës në marshin në të madh që ka parë ndonjëherë vendi ynë, një marsh paqësor, dinjitoz dhe gjithpërfshirës, një marsh për drejtësi dhe jo politikë. Një marsh jo kundër dikujt, por dinjitetin e Kosovës, për të vërtetën dhe për respektimin e sakrificës mbi të cilën është ndërtuar liria jonë”, tha Ismail Tasholli, drejtor i OJQ-së “Liria ka Emër”. 

Aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, përmban dhjetë akuza. Sipas aktakuzës, krimet janë kryer në periudhën prej marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999.