75 Mall Live Search
12:52 / E Hënë, 09 Shkurt 2026 / Z S

Gucati i quan skandaloze deklaratat e West-it: Kërkesa për 180 vjet burgim kënaq Serbinë

Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, e ka quajtur skandaloz fjalën e kryeprokurores Kimberly West, me theks edhe kërkesën e saj për dënim prej 45-vjetësh për secilin veç e veç në rastin e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Kërkesën për burgim prej 180-vjetësh për ish-krerët, Gucati tha të ketë kënaq Serbinë dhe gjithë ata që kanë qenë kundër Kosovës.

“Dëgjuam një fjalim të saj përfundimtar të prokurores e cila është skandaloze, e cila kërkoi 45 vjet burgim për secilin prej tyre, dmth. kërkoi 180 vjet burgim. Kjo me këtë fjalë i ka kënaqur gjithë ata që kanë qenë kundër Kosovës, kundër çlirimit të vendit dhe i ka kënaqur vetë politikanët serbë dhe shtetin e Serbisë. Do të thotë Serbia është sot e kënaqur me prokurorët që kanë punuar kundër shtetit të Kosovës dhe vet UÇK-së. Ju e dëgjuat dhe vet fjalimin tjetër skandaloz të saj, ku thoshte që pjesëtarët e UÇK-së kanë ofenduar një qytetar i cili ka bashkëpunuar me Serbinë, që i thotë majmun, i thotë mos bashkëpuno me Serbinë dhe ato i merren parasysh si krime lufte dhe për ne të gjitha këto janë të papranueshme, unë nuk dua t’i besoj fjalës fare dhe besoj që as qytetarët nuk do t’i besojnë”, tha Gucati teksa ishin mbledhur në zyrën e tyre në Prishtinë për të ndjekur këtë zhvillim gjyqësor.

Po ashtu, Gucati tha se West ishte e pasinqertë kur tha se gjenerali Wesley Clark dhe diplomatët nuk kishin njohuri për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Dhe fjalimet që tha se Clark dhe disa diplomatë amerikan nuk kanë njohur UÇK-në, ishte e pavërtetë. Vetë NATO-ja ka bashkëpunuar me UÇK-në, vetë Clark ka bashkëpunuar me UÇK-në, të gjithë kanë punuar me UÇK-në për arsye me çliruar Kosovën dhe me sulmu qarqet serbe si në Serbi, si në Kosovë, aty ku ishin vendosur forcat paramilitare çetnike serbe. Dhe kjo është një gënjeshtër tjetër e cila mundohet kjo prokurore dhe gjykatë që ta bindë opinionin se UÇK-ja nuk ka aspak përkrahje as ndërkombëtare, që do të thotë është e kundërta. UÇK-ja ka pasur mbështetje dhe përkrahje nga të gjitha forcat politike ndërkombëtare”, theksoi Gucati./Indeksonline/