Të gjithë si komb në mbrojtje të UÇK-së, lirisë dhe dinjitetit të Kosovës
Shkruan: Ibrahim Gashi
Gjyqi kundër krerëve të UÇK-së në Hagë ka hyrë në fazën finale. Që nga fillimi, ky proces është shoqëruar me aktakuza të sajuara e të fabrikuara në Beograd, me dëshmitarë të përgatitur nga strukturat e BIA-s serbe, përballë dëshmitarëve të mbrojtjes me kredibilitet të lartë ndërkombëtar, të cilët kanë dëshmuar fuqishëm dhe më argumente të qendrushme se këto akuza nuk qëndrojnë as juridikisht, as moralisht.
Kjo nuk është vetëm një betejë gjyqësore. Është një betejë për të vërtetën historike, për dinjitetin e luftës çlirimtare dhe për legjitimitetin e shtetit të Kosovës. Drejtësia duhet të triumfojë mbi fabrikimet politike. Ata që mbrojtën popullin nga shfarosja dhe i dolën zot lirisë, duhet të dalin nga kjo gjykatë me vendim lirues, ashtu siç u takon çlirimtarëve.
Populli i Kosovës duhet ta kuptojë qartë: Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre, sot, para kësaj gjykate, po mbrojnë UÇK-në, lirinë dhe dinjitetin e kombit dhe shtetit të Kosovës. Kjo është përgjegjësi kolektive. Nuk duhet të ketë asnjë shqiptar, kudo që jeton, që të mos jetë në mbështetje të çlirimtarëve.
Disa renegat shqipfolës të sojit të Vudi Xhymshiti, Faik Imeri dhe ndonjë tjetër po bëjnë vallën e djallit në këto momente tepër të rendësishme për kombin. Historia por edhe ne si bashkëkohanikë do t’u japim vulën e trathtarit të kombit këtyre mercenarëve të shpifur.
Institucionet e shtetit duhet të jenë shumë më proaktive në mbrojtje të vlerave të luftës, duke dërguar një mesazh të qartë se liria nuk është objekt kompromisi politik. Ato duhet të jenë në mbështetje dhe pjesëmarrje aktive në tubimin e thirrur nga Asociacioni “Liria ka Emër”, më 17 shkurt në Prishtinë, me moton: “Drejtësi, jo politikë.”
Shembuj si Kroacia, dhe jo vetëm ajo, tregojnë se si lufta çlirimtare shpallet vlerë supreme shtetërore dhe se si një shoqëri e tërë, pa dallime, rreshtohet në mbrojtje të saj.
UÇK është themeli i lirisë. Liria nuk gjykohet. Liria mbrohet.

