Kosova e gatshme për kontribut në misionin ndërkombëtar në Gazë
Kosova po konsolidohet gjithnjë e më shumë si partnere e besueshme në nismat ndërkombëtare për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë. Në një kohë zhvillimesh të ndjeshme gjeopolitike, si shtet anëtar i Bordit të Paqes, përmes Ministrisë së Mbrojtjes, Kosova ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar në Forcën Ndërkombëtare për Stabilizimin e Gazës.
Ky angazhim sinjalizon rol më aktiv të vendit në mekanizmat shumëpalësh të sigurisë dhe ambicien për afirmim të mëtejmë ndërkombëtar.
Kosova po dëshmon gatishmërinë e saj për të kontribuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë globale. Së fundmi, ajo po shihet si një potencial i rëndësishëm për dhënien e kontributit në një Forcë Ndërkombëtare për Stabilizimin e Gazës, përmes Ministrisë së Mbrojtjes.
Ky angazhim vjen në kuadër të rolit të Kosovës si shtet anëtar i Bordit të Paqes, një mekanizëm i themeluar nga presidenti amerikan Donald Trump, ku Kosova është bërë pjesë krahas shteteve të tjera të fuqishme.
Në këtë kontekst, Ministria e Mbrojtjes, në një përgjigje me shkrim për RTK- në ka konfirmuar se Kosova riafirmon përkushtimin e saj të palëkundur ndaj paqes, stabilitetit dhe sigurisë ndërkombëtare, duke shprehur gatishmërinë për të kontribuar në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën.
Duke u pozicionuar si një partnere konstruktive dhe e besueshme në këtë nismë shumëpalëshe, Kosova u përfaqësua në konferencën e mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar në Doha të Katarit nga Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral-lejtënant Bashkim Jashari.
Ministria e Mbrojtjes vlerëson se ky angazhim i FSK-së pasqyron rolin në rritje të Kosovës si një aktor i përgjegjshëm dhe kontribuues në arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është e njohur për profesionalizmin, disiplinën dhe kapacitetet e saj në fushat e kërkim-shpëtimit, deminimit, si dhe në fusha të tjera ushtarake. Përmes këtij angazhimi, Kosova synon të japë një kontribut të përgjegjshëm dhe domethënës në përpjekjet për stabilizim dhe ndërtim të qëndrueshëm të paqes. Në këtë kontekst, Republika e Kosovës tashmë është përfshirë edhe në mekanizmat politikë dhe organet relevante vendimmarrëse, përfshirë Bordin e Paqes, me synimin për të kontribuar në mënyrë aktive në zgjidhjen paqësore të konflikteve globale dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar”, tha Liridona Gashi, zëdhënëse në Ministrinë e Mbrojtjes.
Arben Fetoshi nga Instituti “OCTOPUS” ka deklaruar se ftesa për Kosovën ka një rëndësi strategjike, pasi sipas tij, ajo e konfirmon vendin si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
“FSK, ashtu si në të kaluarën, duke pasur parasysh partneritetin e ngushtë me SHBA-në dhe vendet e tjera të NATO-s, është një hap më afër konsolidimit si forcë që garanton anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike. Në kontekstin aktual të përplasjeve gjeopolitike, Kosova e ka interes jetik që të bëhet sa më shpejt pjesë e NATO-s”, tha ai.
Ndryshe, krijimi i Forcës Ndërkombëtare për Stabilizim (ISF) është autorizuar me Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuar më 17 nëntor 2025. Pjesëmarrja në këtë konferencë erdhi pas pranimit të ftesës nga Komanda Qendrore Amerikane (USCENTCOM) më 10 dhjetor 2025 dhe aprovimit të rekomandimit për pjesëmarrje nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, më 11 dhjetor 2025.

