75 Mall Live Search
22:42 / E Hënë, 09 Shkurt 2026 / F.R

Berisha reagon ndaj në Hagë: Akuza ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së janë propagandë serbe

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas paraqitjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Hagë ndaj ish-udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të Kosovës.

Përmes një postimi publik, Berisha ka deklaruar se prokuroria ka paraqitur, sipas tij, akuzat më të rënda deri më tani, duke kërkuar dënime që në total arrijnë rreth dy shekuj burg për udhëheqësit kryesorë të luftës çlirimtare të Kosovës, shkruan IndeksOnline.

Ai ka theksuar se, ndonëse është i bindur se drejtësia duhet të veprojë ndaj çdo krimi dhe kujtdo që e ka kryer atë, pas ndjekjes së procesit shumëvjeçar gjyqësor, sipas tij, para publikut nuk është paraqitur asnjë provë konkrete që të dëshmojë krimet e pretenduara ndaj të akuzuarit.

Postimi i plotë:

Të dashur miq, sot prokuroria speciale e Gjykatës së Kosovës në Hagë paraqiti akuzat më të rënda dhe kërkoi vite burg për më shumë dekada, rreth dy shekuj të marrë së bashku, për udhëheqësit më kryesorë të luftës çlirimtare të Kosovës.

Duke qenë i bindur se drejtësia duhet të japë verdiktin e saj për çdo krim dhe ndaj cilitdo që e ka kryer atë, dhe pasi kam ndjekur me vëmendje procesin shumëvjeçar të gjykimit, dhe kam konstatuar se para publikut nuk është paraqitur asnjë provë, fakt apo dokument që të provojë krime konkrete të kryera nga të akuzuarit, deklaroj se: akuza e paraqitur sot ndaj ish-udhëheqësve të UÇK, ish-aleat të Natos në luftën për çlirimin e Kosovës, është një ripërsëritje e shpifjeve të propagandës të ultranacionalistëve serbë dhe trillimeve të famziut Vukçeviç, që formuloi i pari ndaj tyre akuzën monstruoze të “shkuljes së organeve” nga serbët, robër lufte, dhe trafikimin e tyre, madje në territorin e Shqipërisë.

Me këtë rast, i bëj thirrje Gjykatës që në vendimet e saj të mos ndikohet në akuzat propagandistike që tejkalojnë çdo kufi dhe janë të pashembullta në historinë e drejtësisë ndërkombëtare, dhe të konfirmojë në emër të ligjit pafajësinë e ish-udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të Kosovës.