75 Mall Live Search
15:19 / E Martë, 10 Shkurt 2026 / S Z

Shala për rastin e mësimdhënsit në shkollën “Pavarësia”: Prokuroria do të vlerësojë kërkesën për parashtrim ndaj gjykatës

Një mësimdhënës nga shkolla “Pavarësia” është ndaluar me urdhër të prokurorit të kujdestar, nën dyshimin se ka goditur një nxënës, e ku lidhur me rastin zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala ka konfirmuar inicimin e procedurës penale dhe ndërmarrjen e veprimeve hetimore.

Shala tha se pas hetimeve prokuroria do të vlerësojë kërkesën për masën ndaj të dyshuarit.

“Fillimisht dua t’ju njoftoj se Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas marrjes së informatave nga Policia e Kosovës, domethënë në bazë të këtyre ka iniciuar procedurë penale. Me urdhër të prokurorit të kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm, ka ndaluar të dyshuarin në këtë rast, arsimtarin, në kohëzgjatje prej 48 orësh për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”. Në këtë drejtim, Prokuroria dhe organet e tjera relevante janë duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, dhe Prokuroria do të vlerësojë kërkesën për parashtrim ndaj gjykatës kompetente për caktimin e masës ndaj të pandehurit“, tha ajo.

Shala bëri të ditur se për rastin është njoftuar edhe Departamenti për të Mitur, i cili ka autorizuar mbledhjen e informatave relevante për rrethanat e konfliktit.

“Po, për sa i përket të miturit apo nxënësit në këtë rast, lidhur me këtë konfliktin që ka pasur me arsimtarin, prokurori i Departamentit për të Mitur është njoftuar lidhur me këtë çështje dhe ka autorizuar për mbledhjen dhe grumbullimin e informacioneve relevante lidhur me këtë çështje penale“, theksoi ajo.

Gjatë ditës së djeshme është shpërndarë një video, ku nga pamjet e publikuara shihet teksa një mësimdhënës godet një nxënës të shkollës „Pavarësia“ në Prishtinë.

Për këtë sot reagoi edhe ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Nagavci tha se dhuna në çfarëdo forme dhe nga kushdo që vjen është e papranueshme dhe nuk ka vend në institucione arsimore.

“Sigurisht dhuna është e papranueshme në cilëndo prej formave të saj dhe nga kushdo që ushtrohet. Rasti i djeshëm e ka bërë të qartë edhe një herë se të gjithë janë të, mund të jenë të ekspozuar ndaj dhunës, dhe është tejet e rëndësishme që të gjitha instrumentet të cilat tashmë janë në dispozicion, mekanizmat të cilat i ka ndërtuar Ministria e Arsimit, të funksionojnë dhe të gjitha palët, përfshi mësimdhënësit, menaxhmentin e shkollës, drejtoritë komunale të arsimit, por edhe prindërit, t’i shfrytëzojnë mundësitë që i kanë në mënyrë që të punojmë bashkarisht në radhë të parë për parandalimin e dhunës e pastaj edhe për adresimin e saj në rastet kur ndodhin. Për informatin tuaj, ministria e ka të hapur platformën në SMIA, ku bëhet raportimi i secilit prej rasteve të dhunës. Në momentin që nga shkolla, dhe është obligim ligjor që të raportohen këto raste në SMIA, në momentin që raportohen, aktivizohen të gjitha mekanizmat, institucionet kompetente, përfshi Inspektoratin e Ministrisë së Arsimit, Drejtorinë Komunale të Arsimit, Qendrën për Punë Sociale në rast se është nevoja, policinë dhe institucione të tjera varësisht prej rastit të raportuar të dhunës”, tha ajo.