75 Mall Live Search
14:42 / E Mërkurë, 11 Shkurt 2026 / OSH

Konstituimi i Kuvendit, testi i parë i shtetit dhe legjitimitetit demokratik

Shkruan, Hisen Berisha

Sot nuk është thjesht çështje e konstituimit teknik të Kuvendit.
Sot është testi i parë i funksionimit të shtetit pas zgjedhjeve.

Konstituimi i Kuvendit pas zgjedhjeve është një hap themelor për funksionimin normal të republikës.
Nuk është vetëm procedurë formale, por momenti kur rendi kushtetues rifillon me legjitimitetin e dalë nga vota. Prandaj është e rëndësishme që ky proces të zhvillohet me përgjegjësi, qetësi dhe respekt të plotë ndaj Kushtetutës.

Nëse ky proces kthehet në krizë, atëherë nuk kemi problem procedure, kemi problem vullneti politik dhe kapje të institucioneve.

Seanca konstituive është themeli i legjitimitetit institucional.
Pa Kuvend të konstituuar nuk ka qeveri të plotë, nuk ka kontroll parlamentar, nuk ka rend normal kushtetues.
Çdo zvarritje krijon vakum dhe pasiguri të panevojshme, si brenda vendit ashtu edhe në raport me partnerët ndërkombëtarë.

Prandaj, konstituimi duhet parë si detyrim shtetëror, jo si çështje taktike politike.

Rreziku për krizë lind kur procedurat kushtetuese zvarriten ose politizohen tej mase. Kosova ka nevojë për institucione funksionale sa më shpejt.

Ka tri pika rreziku që mund ta kthejnë konstituimin në krizë të qëllimshme, bllokimi politik i shumicës, pazaret e fshehta për poste dhe instrumentalizimi i Listës Serbe për të krijuar veto të brendshme.

Kosova nuk mund të hyjë në një cikël ku institucionet ndërtohen mbi shantazh politik.

Kriza nuk është formale juridike, nuk vjen nga Kushtetuta, kriza vjen nga politikanët, nëse konstituimi shndërrohet në pazar dhe jo në procedurë.

Pozita e nënkryetarit nga komuniteti serb është obligim kushtetues dhe pjesë e rendit demokratik. Ajo është dispozitë formale dhe pjesë e arkitekturës së përfaqësimit në Kuvend, prandaj duhet respektuar si element i integrimit të komuniteteve, si dispozitë kushtetuese, por edhe test institucional

Nuk është problem që serbët të kenë përfaqësim.

Megjithatë, problemi lind kur kjo pozitë kthehet në instrument të Beogradit dhe jo në përfaqësim real të qytetarëve serbë të Kosovës.

Përfaqësimi i komuniteteve është vlerë kushtetuese, por duhet të jetë konstruktiv, demokratik dhe në shërbim të stabilitetit institucional, jo kanal destabilizimi.

Beogradi historikisht e përdor Listën Serbe si levë. Pyetja është se, a kemi institucione që e neutralizojnë këtë levë, apo i dorëzohen?

Sot nuk jemi vetëm para një procesi teknik të konstituimit të Kuvendit.
Sot jemi para një pyetjeje më të thellë dhe sensitive ligjërisht, që konteston besimin qytetar dhe ndërkombëtar ndaj Kosoves si shtet funksional demokratik e ligjor, sa është pastërtia dhe legjitimiteti i mandatit parlamentar?

Sepse problemi i vjedhjes së votës nuk është problem i një subjekti të vetëm. Është fenomen i përgjithshëm, i shtrirë në mënyrë të rrezikshme në të gjithë spektrin politik.

Segmenti i parë është manipulimi ndërpartiak: gjatë numërimit në qendrat e votimit, gjatë ndarjes së votave sipas subjekteve, (për çka ka deshmi publike në teren) dhe në Qendrat e Numërimit në Komuna, hapësira këto ku procesi humb transparencën.

Kjo është sëmundje e sistemit, jo e një partie. Kur partitë fillojnë të garojnë me komisionerë e jo me qytetarë, atëherë zgjedhjet nuk janë më garë demokratike, por betejë mekanizmash.

Por edhe më shqetësuese është ajo që ndodh brenda vetë subjekteve politike: kur vota manipulohet brenda partisë, mes kandidatëve, mes strukturave lokale dhe shtabeve qendrore partiake që komandojnë me komisioner e vezhgues. Ndërkohë që KQZ si autoriteti subordinativ, mbartë përgjegjësinë ligjore e kushtetuese për procesin.

Kur mandati nuk fitohet nga besimi i qytetarit, por nga kontrolli i rrjeteve të brendshme, atëherë Kuvendi nuk prodhon përfaqësim, por prodhon hierarki dhe klientelizëm.

Kjo nuk kursen askënd. Është fenomen transversal.

Në këto rrethana, problemi nuk është vetëm kush e bën shumicën parlamentare, por si është prodhuar mandati.

Deputeti që hyn në Kuvend përmes deformimit të votës, qoftë ndërpartiak apo brendapartiak, nuk është vetëm me çështje procedurale. Është çështje e thellë legjitimiteti.

Dhe këtu qëndron problemi themelor, kur vota komprometohet, nuk komprometohet vetëm një kandidat apo një parti, komprometohet vetë institucioni që del nga ajo votë.

Një Kuvend i ndërtuar mbi dyshime serioze për manipulim prodhon krizë legjitimiteti që e shoqëron gjithë procesin politik, qeverinë që formohet, vendimet që merren dhe besimin qytetar në shtet.

Prandaj, në një demokraci serioze, abdikimi nga mandati do të ishte akt i përgjegjësisë politike dhe moralit publik për çdo mandat që del nga proces i komprometuar.

Partnerët ndërkombëtarë presin që Kosova të dëshmojë pjekuri institucionale dhe respekt të procedurave demokratike. Konstituimi i Kuvendit është mesazhi i parë që del pas zgjedhjeve, nëse jemi të aftë të prodhojmë stabilitet dhe funksionim normal institucional?!

Kuvendi nuk është thjesht sallë votimi.
Është zemra e republikës.
Nëse zemra bllokohet në ditën e parë, atëherë problemi është politik dhe shtetëror.

Kosova nuk ka nevojë vetëm për Kuvend të konstituuar. Kosova ka nevojë për Kuvend të besueshëm.

Sepse pa besim në votë, nuk ka besim në institucione. Dhe pa besim në institucione, nuk ka stabilitet demokratik.

Kjo është thirrje për standard, jo për përplasje. Dhr nëse nuk e pastrojmë procesin zgjedhor nga ky fenomen, atëherë çdo konstituim është formal, por jo legjitim në thelb.