Hargreaves uron Kurtin, thotë se Mbretëria e Bashkuar pret angazhim nga Kosova në dialogun e BE-së
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin e ri qeveritar për marrjen e detyrës.
Ai tha se pret bashkëpunim me ta, ndërsa shtoi se vendi i tij është i gatshëm ta mbështesë Kosovën në reforma e forcim të institucioneve demokratike.
Postimi i plotë:
Shpreh urimet e mia më të ngrohta për Qeverinë e re të Kosovës. Pres me padurim të bashkëpunoj ngushtë me Kryeministrin Albin Kurti dhe ekipin e tij të ri të ministrave në muajt në vijim.
Një Kuvend dhe një Qeveri funksionale janë thelbësore që Kosova të bëjë përparim në çështjet që kanë më shumë rëndësi për qytetarët e saj. Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të mbështesë Kosovën teksa ajo avancon reformat, forcon institucionet demokratike dhe punon në interes të të gjitha komuniteteve.
Ne gjithashtu presim me padurim angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si dhe përkushtimin për të nxitur stabilitetin, prosperitetin dhe bashkëpunimin rajonal. Ky është një moment mundësie dhe Mbretëria e Bashkuar mbetet një partnere e besueshme ndërsa Kosova punon për të ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe të suksesshme./Indeksonline/

