Tahiri: AAK mbështet rezolutën për çlirimtarët
Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri ka deklaruar se ky subjekt politik ka dhënë dakordimin e saj dhe mbështet rezolutën për çlirimtarët.
Po ashtu, ai bëri edhe një herë të ditur se Kuvendit sot ka thirrur seancë nga ora 19:00.
“Sonte, do të ketë një seancë në ora 19:00 ku do të trajtohen tri çështje të rëndësishme: E para ka të bëjë me ndarjen e komisioneve parlamentare, që është një procedurë standarde dhe e domosdoshme për funksionimin e rregullt të Kuvendit. E dyta lidhet me ndarjet buxhetore, një temë me rëndësi të veçantë për garantimin e funksionimit të institucioneve dhe realizimin e prioriteteve programore. Ndërsa çështja më e rëndësishme është rezoluta që pritet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës në orën 19:00, e cila ka të bëjë me çlirimtarët tanë që po përballen me proces gjyqësor në Hagë”.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dhënë dakordimin e saj për tekstin e kësaj rezolute dhe e mbështet atë”, ka shkruar ai.

