75 Mall Live Search
10:05 / E Premte, 13 Shkurt 2026 / S Z

Arrestimet për drogë në çdo raport policor, përdoruesit kryesisht të rinj

Raportet 24-orëshe të Policisë së Kosovës vazhdimisht evidentojnë raste të lidhura me drogën, duke përfshirë arrestime, konfiskime të marihuanës dhe procedime penale për posedim apo shpërndarje të paautorizuar. Vetëm në raportin e fundit, në rajonin e Prishtinës dhe Gjilanit janë regjistruar tri raste të ndara.

Në fshatin Babush i Muhaxherëve të Lipjanit, policia arrestoi një të dyshuar mashkull kosovar, pasi gjatë kontrollit iu gjetën dy qese me marihuanë. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Në fshatin Milloshevë të Obiliqit, te një e dyshuar femër u sekuestruan 3.6 gram marihuanë. Pas intervistimit, rasti është proceduar në procedurë të rregullt.

Rasti më i rëndë u raportua në fshatin Doberçan të Gjilanit, ku u arrestua një shtetas i Serbisë. Gjatë kontrollit, policia i gjeti dhe sekuestroi 541.3 gramë marihuanë dhe 10,200 dinarë. I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Këto raste janë vetëm një pasqyrim i një fenomeni që po përsëritet pothuajse çdo ditë në raportet policore.

Sipas të dhënave zyrtare, në periudhën janar–nëntor 2025 janë arrestuar gjithsej 893 persona të dyshuar për vepra penale që lidhen me narkotikë, prej të cilëve 440 persona janë arrestuar konkretisht për posedim të substancave narkotike.

Sa i përket konfiskimeve, gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar rreth 1,332 kilogramë lëndë narkotike, prej tyre 1.52 kg heroinë, 1,310 kg marihuanë, 19.5 kg kokainë dhe sasi më të vogla të hashashit, farave të kanabisit dhe drogës ekstazi. Përveç këtyre, janë konfiskuar edhe 6,587 bimë kanabisi në njësi të veçanta.

Statistikat e viteve të fundit tregojnë luhatje, por një nivel të qëndrueshëm të rasteve dhe arrestimeve: 2021: 726 raste, 792 persona të arrestuar; 2022: 808 raste, 1,038 persona të arrestuar; 2023: 678 raste, 859 persona të arrestuar; 2024: 567 raste, 705 persona të arrestuar; 2025: 722 raste të hetuara, 936 persona të arrestuar.

Këto shifra dëshmojnë se, pavarësisht rënieve të përkohshme në disa vjet, fenomeni mbetet i pranishëm dhe me ndikim të konsiderueshëm. Sipas të dhënave të raportuara, mosha mesatare e përdoruesve kosovarë të substancave narkotike është kryesisht e re, duke filluar nga rreth 20 deri në 35 vjeç./rtk/