75 Mall Live Search
11:27 / E Premte, 13 Shkurt 2026 / Z S

Buxheti i vitit 2026 dhe marrëveshjet me BE-në, mblidhen dy komisione

Komisioni për integrime evropiane dhe Komisioni për buxhet, punë dhe transfere do të mbajnë sot mbledhjet e tyre në Kuvendin e Kosovës, duke trajtuar çështje të rëndësishme për proceset e integrimit evropian dhe planifikimin buxhetor të vendit.

Komisioni për integrime evropiane do të mblidhet në sallën N-302 me fillim në ora 11:30.

Në rendin e ditës janë tri pika kryesore: miratimi i rendit të ditës, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e “Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje” dhe pika të ndryshme. Mbledhja ka për qëllim diskutimin dhe përgatitjen e rekomandimeve për miratimin e marrëveshjes që synon përkrahjen e reformave dhe zhvillimit ekonomik në vend.

Ndërkaq, Komisioni për buxhet, punë dhe transfere do të mblidhet në sallën C-203 me fillim në orën 12:00. Rendi i ditës përfshin shqyrtimin e disa projektligjeve të rëndësishme, duke përfshirë projektligjin nr.10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026, si dhe projektligjet për ratifikimin e marrëveshjeve financiare dhe kredive ndërkombëtare për projekte zhvillimore në fushat e politikave fiskale, konkurrueshmërisë, shëndetësisë dhe edukimit në fëmijërinë e hershme. Pikat përfshijnë gjithashtu shqyrtimin e instrumentit për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.