S’ka më antibiotikë si në pazar, farmacistët nuk japin pa recetë
Derisa marrja e antibiotikëve pa recetë ishte fare e lehtë, tashmë gjendja ka ndryshuar. Në shumë barnatore në Prishtinë, antibiotikun nuk mund ta marrësh më nëse për të nuk ke recetë nga mjeku.
Një paciente, e cila ishte drejtuar në një barnatore në lagjen “Dardania” në Prishtinë, u befasua kur iu tha se nuk mund t’ia jepnin antibiotikun që kërkonte pa recetë të mjekut.
“U befasova kur më thanë se nuk mund ta merrja antibiotikun pa recetë të mjekut, sepse nuk më ka ndodhur më parë që të më kërkohej receta. Antibiotikët i merrja fare lehtë. Vetëm e tregoja emrin e antibiotikut që më duhej dhe bëja pagesën. Kaq më kërkohej në barnatore”, thotë ajo.
Megjithëse nuk iu dha antibiotiku, ajo shprehet e kënaqur që sektori i farmacisë në Kosovë po rregullohet dhe se nuk mund të ketë kushdo qasje në antibiotikë, ashtu siç ka ndodhur deri tani.
Ndërkaq, Astrit Haxhijaha, nënkryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës, ka thënë për Indeksonline se së fundi po zbatohen rreptësisht udhëzimet për dhënien e antibiotikëve.
“Kjo problematikë e dhënies së antibiotikëve pa recetë të mjekut ka qenë prej vitesh një problem serioz. Është e vërtetë se kohët e fundit shumë nga barnatoret, janë duke i zbatuar rreptësisht udhëzimet për dhënien e antibiotikëve vetëm me recetë të mjekut, gjë që mendoj se është një hap pozitiv drejt respektimit të legjislacionit në fuqi, por edhe të praktikës së sigurt farmaceutike. Qytetarët apo pacientët duhet ta kuptojnë se roli i farmacistit nuk është vetëm furnizimi me barna, por garantimi i përdorimit racional të tyre, apo në këtë rast, i antibiotikëve”, ka thënë Haxhijaha.
Haxhijaha thekson se në vitin 2024, Ministria e Shëndetësisë (MSH), në bashkëpunim me OBSH-në, kanë miratuar një plan veprimi për përdorimin e antibiotikëve, me qëllim ruajtjen e efikasitetit të tyre, pasi në disa raste ato janë përshkruar pa kritere dhe pa kaluar nëpër procedura laboratorike, siç është antibiogrami. Kjo, sipas tij, reflekton drejtpërdrejt edhe te pacienti.
Ai shton se në vendimin e barnatoreve për të mos dhënë antibiotikë pa recetë ka ndikuar edhe Inspektorati Farmaceutik, i cili merr masa si ndaj farmacistit, ashtu edhe ndaj subjektit farmaceutik.
“Më herët, një nga shkaqet kryesore, jo vetëm në Kosovë, të dhënies së barnave pa recetë ka qenë mungesa e pranisë së farmacistit, të cilët shpeshherë janë zëvendësuar nga profesionistë të tjerë shëndetësorë. Ndryshe, edhe në të kaluarën nuk besoj se ka pasur ndonjë farmacist që ka dhënë antibiotikë pa përshkrim të mjekut. Por edhe nëse ka ndodhur një gjë e tillë, Inspektorati Farmaceutik ka marrë masa si ndaj farmacistit apo profesionistit tjetër shëndetësor, ashtu edhe ndaj veprimtarisë. Tani ka ndëshkime për të dyja palët, si për profesionistët, ashtu edhe për veprimtaritë. Mendoj se këto masa kanë ndikuar që jo vetëm antibiotikët, por edhe barna të tjera të jepen vetëm me recetë të mjekut, duke respektuar legjislacionin në fuqi”, ka thënë Haxhijaha.

